Skënderbeu po vjen, rivalët duhet t’u tremben korçarëve!

Skënderbeu po vjen, rivalët duhet t’u tremben korçarëve!

Skënderbeu që entuziazmon, Skënderbeu që bind, Skënderbeu që bëhet i madh në sfidat që i kujtojnë shkëlqimin e viteve të fundit, Skënderbeu që vjen pikërisht atëherë kur nuk e pret.

Janë të shumta hijet e këtij Skënderbeu, në Air Albania i dha një mesazh të gjithëve se paavrësisht vështirësive, ata mbeten skuadra për tu mundur, sigurisht nga pretendentët e titullit.

Një strategji e ndërtuar në perfeksion nga Ilir Daja dhe e ekzekutuar në të njëjtën mënyrë nga lojtarët në fushën e blertë, për të ndalur një Tiranë me sulm vërtet të frikshëm dhe që u detyrua të luante në zona të vogla në kërkim të golit, aty ku e kanë të vështirë të çajnë edhe skuadrat më të mëdha.

Megjithatë renditja thotë vendi i 7-të, shumë pak për një skuadër që ka ndalur Kukësin, Tiranën e Partizanin.

Skënderbeu mbetet kompetitiv, dhe synimi i drejtuesve që ju desh të merrnin një vendim të vështirë verën e kaluar duket i arritur, një skuadër që jo thjesht përfaqëson por zhvillon ndeshje të bukura e mund ta luajë me armë të barabarta me këdo.

Gjithsesi mbetet për tu parë se çfarë efekti do të ketë humbja e një prej armëve më të rëndësishme. Janë ditë vendimtare për Dejvi Bergun, pa diskutim yll i skuadrës, përfundimi i merkatos edhe në vendet e Lindjes është skadimi i afatit dhe në klubin korçar e pranojnë se janë duke bërë çmos për shitjen e tij.

Një operacion i kushtëzuar për të siguruar fonde të freskëta për klubin në një vit veçanërisht të vështirë, megjithatë në planin sportiv a mund të jetë Skënderbeu i njëjti pa Bregun, Daja ka ditur më së miri të evidentojë këtë sezon elementë të rinj duke i rritur si lojtarë, shembuj ekselentë Elezi apo pse jo Pëllumbi e Meksi, megjithatë një si Bregu duket i vështirë për tu zëvendësuar.