Takim 40-minutësh në Milanello, Gazidis qetëson Pioli-n
Me Zvonimir Boban drejt largimit, Administratori i Deleguar i Milanit, Ivan Gazidis ka zhvilluar sot një takim rreth 40-minutësh me trajnerin e kuqezinjve, Stefano Pioli, për të diskutuar me këtë të fundit për atmosferën brenda ekipit.
Sipas mediave pranë klubit kuqezi, temë e bisedës mes palëve kanë qenë masat e marra në kuadër të gjendjes alarmante të shkaktuar nga përhapja me shpejtësi e Coronavirusit, klima në ekip dhe e ardhmja e Piolit në bankinën kuqezi.
Kështu Gazidis ka informuar Piolin mbi mënyrën se si do të organizohen ndeshjet deri më 3 prill, ndërsa nuk i ka kursyer edhe komplimentet për punën që tekniku ka bërë që prej kohës kur u ul në bankinën kuqezi.
Nga ana tjetër Pioli ka garantuar administratorin se situate në grup është e qetë dhe se lojtarët vijojnë të stërviten me intensitet të plotë për sprintin final të sezonit, ku do të provohet arritja e një vendi në zonën Champions.
Ky takim më tepër ka pasur për qëllim të qetësojë situatën, pasi ditët e fundit është folur shumë për një akord mes Gazidis dhe Ralf Rangnick, që parashikon uljen e këtij të fundit në bankinën e Milanit, në vend të Piolity, duke nisur nga fundi i këtij sezoni.























