Tringë Smajli e Marie Çoba, gratë që emancipuan shoqërinë shqiptare
Sharr Travel

Tringë Smajli e Marie Çoba, gratë që emancipuan shoqërinë shqiptare

Muaji mars u kushtohet grave shqiptare, që me historitë e tyre të jashtëzakonshme në raport me kontekstin historik dhe social në të cilin kanë jetuar, janë nismëtare të një aktivizmi për barazi ku spikat idealizmi, virtytet e lufta për vlerësimin e rolit të gruas në shoqëri, shkruan Gazeta Shqiptare.

E fillojmë me Tringë Smajl Martini Ivezaj (1870-1917) e njohur ndryshe si Tringë Smalji apo Tringa e Grudës. Vajza e bajraktarit të Grudës me internimin e vdekjen e të atit, udhëheqës i forcave mbrojtëse të degës së Lidhjes së Prizrenit për Grudën, në Anadoll e pas vrasjes së dy vëllezërve vendos të mos martohet e t’i kushtojë jetën çështjes kombëtare.

Ndër personat më të besuar të Dedë Gjo Lulit u bashkua me kryengritësit në Betejën e Deçiçit, mori pjesë në Memorandumin e Greçës, duke vijuar aktivitetin patriotik edhe pas shpalljes së pavarësisë.

Betejat e gjestet e saj heroike bënë jehonë edhe në shtypin ndërkombëtar, ku gazeta e revista të tilla si “New York Times”, “Le Petit Journal” e vlerësojnë si ndër femrat me influencë në Ballkan, duke e cilësuar si Zhan D’Ark shqiptare. Tringa na risillet edhe përmes kujtimeve të shkrimtares e studiueses britanike Edith Durham, gjatë udhëtimeve të saj në veriun e Shqipërisë.

E njohur për ndihmën e saj në emancipimin e grave, me dënimin e dhunës ndaj tyre, me kundërshtinë e fejesave në djep, është njëkohësisht ndër figurat femërore më emancipuese të kohës.

Për fisnikërinë dhe virtytet e saj, na rrëfen edhe At Gjergj Fishta në epopenë “Lahuta e Malcis”, në këngën kushtuar saj, “Tringa”.

Se për lila e karajfila,

Për zymyla e për bylbyla,

E për gurra nëpër curra:

P’ r ato hije nëpër vrrije,

P’ r ato flutra nëpër zalle

Pasha Orë e Shtozovalle,

Pasha t’ rijt e pasha verën,

Për sa bjeshkë e lule blerën.

Mâ fisnike ‘i vashë s’ e ké

Kah ndritë hâna e dielli zé!

Lufta e Koplikut (1920-1921) për mbrojtjen e zonës së Shkodrës kundër ndërhyrjes ushtarake jugosllave, e cila synonte të shkëpuste një pjesë të territoreve të veriut të Shqipërisë, shënoi angazhimin e qarqeve patriotike shqiptare në një qëndresë të organizuar, e cila çoi në thyerjen e trupave jugosllave. Në të ra në sy edhe kontributi i grave në asistencën ndaj të plagosurve, grumbullimin e ndihmave, ndihmesën ndaj familjeve të luftëtarëve e atyre të varfra. Në këtë fotografi të Kel Marubit, po ashtu veprimtar në luftë, e në krah të patriotëve Mustafa Kruja e Riza Dani, dallojmë Marie Çobën (1875-1954) – teksa i tregon fotografit edhe materialet e grumbulluara – intelektualen e parë shqiptare që ngriti çështjen e të drejtave të grave.

Në vitin 1920, së bashku me Habibe Bekteshin – në fotografi e veshur me të zeza e me shami të zezë – themeluan komitetin “Gruaja Shqiptare”, me qëllim grumbullimin e fondeve në ndihmë të ushtrisë shqiptare që po përballej me sulmet jugosllave në Koplik.

Në krah të tyre u aktivizuan shumë gra e vajza të cilat u bënë pjesë e rezistencës.

Ky komiteti, në vitin 1921, botoi revistën “Gruaja Shqiptare”, hapësira e parë e shtypit që mbulonte çështjet e grave, që trajtonte problematikat e gruas shqiptare, të drejtat e saj, respektimin e lirive, mbrojtjen e shëndetit, këshilla për nënën e fëmijën, arsimin e edukimin, përmirësimin e jetës dhe veshjeve të grave e tematika të tjerat të rëndësishme për kohën.

Marie Çoba u angazhua edhe në riplanifikimin të shoqatave të grave në nivel kombëtar.

Me ardhjen e regjimit komunist, i shoqi Ndoc Çoba, veprimtar politik, pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës, përfaqësues i Shkodrës në Kongresin e Lushnjës, Ministër i Financave (1920), kryetar i bashkisë së Shkodrës (27 gusht 1937-24 qershor 1939), pjesëmarrës në Konferencën e Pezës, botues arrestohet dhe vdes në burg pas torturave.

Vetë Maria do të vdiste në Shkodër në dhjetor të vitit 1954.

1 / 1