Letër nënës, poezi nga Sergei Esenin
Sharr Travel

Letër nënës, poezi nga Sergei Esenin

Letër nënës

Gjallë je, nënoke?
Edhe unë gjallë jam!
Shëndet më paç, shëndet!
Dritë e beftë krejt kjo mbrëmje e lum
Izben tënde, që me mall më pret

Thonë se je ligur e je tretur
Nga meraku im, por nuk ankon
Se, pështjell me një shall të vjetër
Fillikat rrugës shpesh kalon

Dhe kur mugëtirë e kaltër bie
Një vegim i zi të kall ty frikë
Sikur në sherr diku në pije
Vjen dikush e ma këput me thikë

Kot e dashur, vuan kaq, besomë
Brenga t’i fanit këto ndër sy
S’jam aq pijanec i lig sa thonë
Si do vdes pa të parë ty?

Unë jam po foshnje, si njëherë
Dhe një shpresë veç ushqej në gji
T’iki nga ky tym e kjo poterë
te shtëpiza jonë aty të vij

Dhe do vij, kur kopshti ynë i bardhë
Anekënd të vishet me blerim
Vetem ti, si tetë vjet më parë
Mos më zgjo aq herët në agim.

Mos e zgjo atë që u dëshperua,
Mos e ndiz atë që s’ka me prush!
Me zhgënjime zemra m’u lendua
Dhe me lodhje jeta shpejt m’u mbush!

Mos më shty t’i lutem perëndisë,
Tek e vjetra s’mbahem, s’ka më kthim!
Vetëm ti je mallë i dhëmbshurisë,
vetëm ti je dritë e shpirtit tim.