Amazon e ndalon me në fund shitjen e “Mein Kampf” të Hitlerit

Amazon e ndalon me në fund shitjen e “Mein Kampf” të Hitlerit

Amazon ka ndaluar shitjen e “Mein Kampf”-it të Adolf Hitlerit (“Lufta Ime”) dhe librave të tjerë të propagandës naziste, e kjo pas një dekade fushate nga Shoqata e Familjeve të Holokaustit.

Kopje të shumta në gjuhët e huaja të “Mein Kampf”-it janë aktualisht të disponueshme në librarinë e Amazon në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë atë në gjuhën gjermane, botuar në vitin 2016, raporton “Guardian”-i britanik.

Ditët e fundit, shitësit e librave janë informuar se ata nuk do të jenë më në gjendje të shesin libra të tjerë me temë naziste, përfshirë dhe autobiografinë e Hitlerit dhe librat për fëmijë që përhapin ide antisemitike.

Në një e-mail për të cilin “Guardian” ishte në dijeni, individëve që shesin kopjet e përdorura të librit të “Mein Kampf”-it përmes shërbimit të Amazon, u tha që kompania nuk mund të ofronte më librin sepse ishte në konflikt me një kod sjelljeje në internet.
Organizatat kryesore të Holokaustit dhe grupet hebreje kanë mbrojtur që nga fundi i viteve 1990 idenë e ndalimit të shitjes së kopjeve të “Mein Kampf”-it përmes Amazon, megjithatë, tregtarët kanë bërë thirrje për të drejtën e fjalës së lirë dhe nevojën që brezat apo studentët të kuptojnë mendimin e Hitlerit.

Shumica e botimeve të lidhura me nazistët janë në dispozicion në internet, ku ato mund të shkarkohen falas.