Fabregas: Tek Arsenali kam vuajtur shumë, kam qarë pas çdo humbje!

Fabregas: Tek Arsenali kam vuajtur shumë, kam qarë pas çdo humbje!

Cesc Fabregas ka qenë idhulli i tifozerisë së Arsenalit për shumë vite, madje Arsene Wenger, i besoi dhe shiritin e kapitenit për disa sezone, edhe pse mesfushori ishte në një moshë shumë të re.

Spanjolli ishte një ndër më të mirët në botë në rolin e tij dhe një lojtar kyç për Arsenalin.

Megjithatë, ai vendosi të largohej drejt Barcelonës, për t’u rikthyer më pas në Premier League te Chelsea dhe për të vazhduar karrierën e tij momentalisht te Monaco. Sot, spanjolli ka dhënë një intervistë ku ka treguar kohën kur ishte te “Topçinjtë”.

“Unë isha kapiteni, gjithmonë e ndjeja presionin te vetja ime. Duhet të udhëhiqja skuadrën drejt fitimit të trofeve. Kam dhënë gjithçka! Disa herë, shkoja në shtëpi pas humbjeve dhe qaja”, tha ai.

“Kam vuajtur, kam kaluar shumë netë duke vuajtur. Kur humbnim një ndeshje, unë isha i dëshpëruar në autobus, teksa dëgjoja disa futbollistë duke qeshur e duke bërë plane se ku do të dilnin për darkë”, rrëfeu mes të tjerash mesfushori spanjoll.