Heshtja e humbjes së grave që nuk garojnë

Heshtja e humbjes së grave që nuk garojnë

Kështu ia thotë një strofë Bruce Springsteen në tekstin e këngës “Duke garuar në rrugë”.

“Në verandën e shtëpisë së BABAIT rri ulur,
Por krejt ëndrrat e saj t’bukura i janë fikur,
E vetmuar natës shikimin ia ka ngulur
Me sytë e dikujt që urren pse ka lindur”.

Këtu te fjala “Daddy” (Baba) mund të kemi një double entendre por që vetëm sa e bën më të fuqishëm mesazhin. Nëse bëhet fjalë për shtëpinë e babait atëherë është shtëpia e saj e fëmijërisë ku këto ëndrra – tashmë të thyera – i kanë lindur. Pra, aty ku i kanë nisur, aty edhe po bitisen dëshirat – po treten në errësirë duke mos kaluar kurrë pragun e shtëpisë.

Megjithatë, edhe nëse “Daddy” këtu është termi seksual dominant për burrin e saj, prapë në shtëpinë e tij ajo rri me ëndrrat e saj të thyera. Krejt në çfarë ajo ka përfunduar është (si jo rrallëherë në personazhet e klasës punëtore të Springsteen-it) në amvise.

Përditshmëria e saj prej amviseje – e pangjarje, e përsëritshme, e zymtë – rëndon dyfish më shumë tek gratë e klasës punëtore në një ambient patriarkal. Përderisa ëndrrat e burrave të klasës punëtore mbyten nga realiteti i përgjithshëm, ato të grave vdesin brenda ëndrrave të burrave.

E zgjata shumë tek kjo strofë, duke mos i lënë vetes hapësirë që ta shtjelloj krejt këngën. Nejse!

“Erdha në përfundim që nuk është urtësia që ua mundëson poetëve të shkruajnë poezi, por një lloj instinkti a frymëzimi që e has te profetët dhe parashikuesit që i përcjellin mesazhet e tyre sublime pa e ditur aspak se çfarë kuptimi kanë”, shprehet Sokrati në gjyq.

Është brutale ta reduktosh kapacitetin e një poeti vetëm në bekim të mistershëm duke ia mohuar mjeshtrinë që i vjen me studim të zellshëm, mirëpo është disi e pamohueshme që pesha krijuese poetike vërtet ka më shumë origjinë intuitive – shumë më shumë është alimentacion i paparashikueshëm shpirtëror se sa lëndë e kultivuar në fushë urtie.

Andaj edhe me Bruce Springsteen; sikur t’i kërkonim të na i shtjellonte filozofikisht kryeveprat e tij lirike, me shumë gjasë do t’iu hynte në hak. Është një prekje hyjnore që i ka sjellë në ekzistencë shumë nga to – dhe do t’i lëmë të tilla, duke mos e pyetur fare./KK/