Dr.Ermira Babamusta vjen me librin më të ri “Besimi politik në Kosovë”

Dr.Ermira Babamusta vjen me librin më të ri “Besimi politik në Kosovë”

Ka dalë nga shtypi libri akademiko-shkencor në  gjuhën angleze “Besimi Politik në Kosovë” (Political Trust in Kosovo) e autores Dr. Ermira Babamusta me shitje në Sh.B.A., Angli, Gjermani, Francë, Spanjë, Itali, Japoni, dhe Kanada. Libri është një studim shkencor 10-vjeçar dhe trajton pyetjen: “Cilët janë faktorët që ndikojnë besimin politik në një demokraci tranzicionale?” duke trajtuar Kosovën si rast-studimi. 

Libri i kushton vëmendje periudhës para pavarësisë dhe pas pavarësisë së Kosovës, duke analizuar besimin politik nacional dhe internacional në shtatë fusha të besimit politik: (1) besimi në qeveri, (2) besimi në politikanë (liderët në Kosovë si Presidenti dhe Kryeministri ), (3) në sistemin ligjor (gjykata lokale dhe Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë – KSC), (4) besimi në polici (policia e Kosovës, KFOR), (5) besimi në organizata ndërkombëtare (BE, OKB), (6) besimi në shtete të tjera/ambasada (Ambasada e Amerikës, lidhjet diplomatike me jashtë) dhe (7) besimi në media/TV.

Rezultatet tregojnë një ndryshim të dukshëm midis besimit politik në institucionet vendore nga ato ndërkombëtare. Saktësisht, vetëm 30% kanë besim në gjykatat vendore në Kosovë, duke e krahasuar me 70% besim në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë për vitin 2018. Ndërsa shqiptarët si në vend dhe ato me vendbanim jashtë shtetit kishin të njëjtin nivel të mosbesimit në qeverinë e Kosovës. Kurse të huajt treguan një nivel më të lartë të besimit në qeverinë e Kosovës në krahasim me shqiptarët. Edhe pse raporti i studimit tregon një nivel të ulët në qeverinë e Kosovës, studimi zbulon se Ambasada Amerikane (70%) dhe Policia e Kosovës gëzojnë besimin më të lartë. Nga institucionet e huaja NATO mori përqindjen më të lartë të besimit politik me 84%, vijuar nga BE-ja me 77% dhe OKB-ja vetëm me 51%.

Në vitin 2012-13 kanë marrë pjesë 220 pjesëmarrës, dhe 40 të tjerë në vitin 2017-18 për të bërë krahasimet e ndryshimit të perceptimeve të publikut mbi nivelin e besimit politik në Kosovë. Pjesëmarrësit në pyetësorët janë zyrtarë dhe ekspertë nga 10 fusha kryesore, përkatësisht: Asambleja e Kosovës, qeveria e Kosovës, Forcat e Sigurisë, Ministria e Diasporës, Ministria e Kulturës, Sportit dhe Rinisë, OKB-ja, BE-ja, NATO, media/TV dhe profesorë nga Universiteti i Prishtinës dhe Instituti Albanologjik.

Libri është në dispozicion të lexuesve dhe mund të porositet në Amazon si botim shtypi dhe Kindle. Ndërsa versioni dixhital “e-Book “(formati PDF) mund të shkarkohet nga uebfaqja e NY Elite Press në www.nyelitepress.com. Autorja planifikon që së shpejti t’a botojë edhe në shqip për organizatat, studentët dhe akademikët në Tiranë, Prishtinë, dhe Shkup.

 

Rreth autores: Para pozitës si drejtoreshë e fushatës presidenciale për Presidentin Obama, Dr. Babamusta filloi karrierën e saj në punët e jashtme në Kongresin Amerikan. Ermira fillimisht erdhi në Capitol Hill për të punuar për Senatorin Tom Harkin dhe më vonë për Kongresmenin Mark Kennedy. Gjithashtu ka punuar për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, departamenti i paqes në Nju Jork.Ermira u diplomua me doktoraturë (Ph.D.) në Shkenca Politike dhe Administrim Publik, si dhe ka fituar dy grada Master po në të njëjtat degë. Ka kryer dy programe të tjera, “Siguria e Mbrojtes Kombëtare” nga Harvardi dhe Diplomacia e OKB-së. Si dhe ka ndjekur një studim jashtë shtetit, programi i Strasburgut, “Insititucionet dhe Ligjet e BE-së” në Francë.Ermira Babamusta është fituese e disa çmimeve si, Çmimi i Artë i Presidentit Obama nga Shtëpia e Bardhë, Çmimi i Shquar Humanitar nga Kongresi Amerikan, Udhëheqësi i maxhorancës Senatori Harry Reid, Çmimi Inaugural “10 Under 10 Award,” Gruaja e Vitit, Gruaja e Kurajos, Ekselencë në Lidership, etj.

Ermira Babamusta është autore e “Besimi Politik në Kosovë: Dinamikat Kulturore dhe Institucionale,” (Political Trust in Kosovo: Exploring Cultural and Institutional Dynamics), “Udhëtimi Legjislativ i Diskriminimit në Punësim” (#1 në Botimet e Reja në Amazon, “The Legislative Journey of Employment Discrimination”) dhe “Diplomacia dhe Shtetformimi i Kosovës” (Diplomacy and Nation Building in Kosovo)