Superliga rikthehet sot me dy sfida joshëse
Në IPKO Superligën e Kosovës luhen këtë të premte dy ndeshjet e para të javës së 24-t, rezultatet e së cilave mund të sjellin rokadë në krye të klasifikimit.
Në orën 17:00, do të zhvillohen Flamurtari-Ballkani dhe Dukagjini Feronikeli.
Skuadra nga Suhareka, Ballkani, e drejtuar nga trajneri karizmatik, Ismet Munishi, humbi pozicionin e liderit në përfundim të javës së 23-të, pas barazimit 0-0 me Drenicën.
Pavarësisht dominimit në lojë, Ballkani nuk ia doli të shënonte qoftë një gol, gjithsesi ky rezultat nuk e demoralizon këtë ekip për të vijuar paraqitjet e mira, shoqëruar edhe me rezultate, më synim trofenë më të rëndësishëm sezonal, titullin kampion.
Në dy takimet e para sezonale Flamurtari dhe Ballkani kanë ndarë pikët me nga një fitore secila, 2-1 në Prishtinë dhe 3-1 në Suharekë.
Kuqezinjtë janë në një pozicion delikat, me vetëm një pikë më shumë se Trepça ’89, ndaj duan të shfrytëzojnë faktorin fushë për t’iu larguar pjesës së poshtme të tabelës.
Një ndër pikat më kritike të Ballkanit është goli si mysafir, që u ka munguar në shumë ndeshje. Në total futbollistët e këtij klubi kanë shënuar vetëm 6 gola në udhëtim. Kujtojmë që Ballkani është pa fitore në 2 ndeshjet e fundit dhe asnjëherë gjatë këtij edicioni nuk i ka ndodhur të regjistrojë 3 ndeshje rresht pa triumf, transmeton SS.
Në takimin tjetër, Dukagjini-Feronikeli, nuk pritet të ketë ndonjë surprizë. Skuadra nga Klina do të kërkojë të respektojë kampionatin, por pozicioni i fundit, i distancuar nga rivalët, jep shpresa minimale për të të siguruar mbijetesën në ndeshjet e mbetura.
Feronikeli, nga ana tjetër, synon të marrë fitoren e tretë radhazi, që do të mund ta afrojë edhe më shumë me grupin kryesues.























