​“Takimet Poetike të Karadakut”, Skender Rusi nderohet me Çmimin e Parë
Sharr Travel

​“Takimet Poetike të Karadakut”, Skender Rusi nderohet me Çmimin e Parë

Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, në teren të hapur në amfiteatrin e Gjimnazit “Ismet Jashari” në Likovë, organizoi edicionin e 28-të me radhë të manifestimit tradicional kulturor-letrar “Takimet Poetike të Karadakut”.

Në kujdesin e poetëve të rinj, Emra Bilalli dhe Arta Selmani, u lexuan

artistikisht dhjetëra krijime letrare të poetëve nga mbarë hapësira shqiptare, si: Skënder Rusi (Korçë), Rakela Zoga (Selanik), Nexhat Çoçaj (Prizren), Behare Neziri (Tetovë), Sabit Rrustemi (Gjilan), Majlinda Toma (Lezhë), Farida Ramadani (Shkodër), Bilall Maliqi (Preshevë), Agim Bajrami (Durrës), Abdurrahman Thaçi (SHBA), Nijazi Ramadani (Gjilan), Ejup Ajdini (Tetovë), Arben Rashkaj (Prizren), Kujtim Morina (Tiranë), Berat Baftiu (Prizren), Arjan Kallço (Korçë), Sarë Gjergji (Viti), Liridona Shehu (Prishtinë), Eduard Konica (Athinë).

Ndërsa, nga poetët vendas që ishin prezent, poezi lexuan: Burhanedin Xhemalili, Arben Ibrahimi, Sunaj Raimi, Ismail Ganiu, Nuri Rexhepi-Dana, Selajdin Shabani, Sevdail Demiri, Kreshnik Sopaj, Shpresa Jashari, Arta Selmani, Emra Bilalli.

Më pas, juria në përbërje Sunaj Raimi, Arben Ibrahimi dhe Selajdin Shabani u përcaktua për poezitë më të mira, të cilat u nderuan me çmimin “Fadil Bekteshi”.

Vendi i parë i takoi poetit korçar Skender Rusi me poezinë “Ditë pa mëngjes”, vendi i dytë poetit kumanovar që jeton dhe vepron në SHBA, Abdurrahman Thaçi, për poezinë “Nga të shkoj”. Ndërsa, me çmimin e tretë u vlerësuan poeti gjilanas Nijazi Ramadani për poezinë “Amaneti i nanës”, si dhe poeti kumanovar Kreshnik Sopaj për poezinë “Ana ime”.

Manifestimi tradicional “Takimet Poetike të Karadakut”, mbahen për çdo 11 mars për nder të kujtimit të demonstratave të ’81-shit të studentëve të Universitetit të Prishtinës. Mirëpo, edhe përkundër përgatitjeve me kohë, që ky manifestim të mbahej më 11 mars 2020, u shty për shkak të përkeqësimit të gjendjes epidemiologjike.