Lider në mbrojtje, bomber në sulm, Ramos udhëheq Realin drejt titullit
Sharr Travel

Lider në mbrojtje, bomber në sulm, Ramos udhëheq Realin drejt titullit

Ndonëse me shumë vështirësi, Reali i Madridit ia doli të mposhtë Getafen në derbin e vogël të Madridit dhe tani skuadrës “merengues” i nevojitet të fitojë vetëm 4 nga 5 sfidat e mbetura në kampionat, për t’u kurorëzuar me titullin e dytë kampion në Primera Division, që nga viti 2012.

Bëhet fjalë për një tjetër fitore tepër të vuajtur dhe në shifra minimale për ekipin e drejtuar nga trajneri Zinedine Zidane, megjithatë “match winner” këtë herë ishte Sergio Ramos, mbrojtësi veteran që shndërroi saktë nga pika e bardhë 11-metërshin e fituar nga Dani Carvajal. 34-vjeçari andaluzian po shndërrohet gjithmonë e më shumë në simbolin e këtij Reali.

Kapiteni i “Los Blancos” nuk mjaftohet thjesht me qëndrimin në prapavijë, në detyrat e tij të zakonshme që mbulon në repartin e mbrojtjes, por preferon të dalë nga llogoret dhe të sulmojë shpesh herë vijën e frontit të skuadrave kundërshtare.

Me shumë personalitet mbrojtësi veteran merr përsipër vazhdimisht gjuajtjen e goditjeve të dënimit dhe shembulli i qartë është pikërisht goli i realizuar ndaj Mallorcas në Valdebebas, kur Sergio Ramos e ekzekutoi në mënyrë brilante goditjen e lirë në dispozicion të skuadrës, duke e kaluar me shumë finesë topin mbi murin e ngritur nga mbrojtja kundërshtare.

Janë të panumërt rastet kur Ramos del përpara dhe shënon me kokë apo duke shtyrë topin në rrjetë nga brenda zonës, për të shpëtuar skuadrën dhe për të nxjerrë shpesh herë ekipin e tij nga telashet. Nuk mund të thuhet kurrsesi se kapiteni ka ndonjë aftësi të veçantë magnetike dhe e tërheq topin sikur të ishte i elektrizuar, i përzgjedhur apo qoftë edhe i nxitur nga ndonjë forcë hyjnore.

Quhet nuhatje, por mbi të gjitha besim në vetvete. Reali i Madridit është ekipi i vetëm që i ka fituar që të 6 takimet që ka zhvilluar që nga mesi i muajit qershor, kur edhe filloi kampionati spanjoll, që pas ndërprerjes së gjatë, për shkak të izolimit dhe masave shtrënguese që u morën në mënyrë të kuptueshme për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Pra që nga 14 qershori skuadra merengues ka mundur me radhë kundërshtarë si Eibar, Valencia, Sociedad, Mallorca, Espanyol dhe Getafe, madje 3 sfidat e fundit ekipi i drejtuar nga trajneri francez i ka fituar pa pësuar as gol. Los blancos nuk është se po shkëlqejnë në aspektin e lojës dhe për hir të së vërtetës në qendrën stërvitore të klubit, në stadiumin “Alfredo Di Stefano” futbollistët e Realit u frustruan për shumë kohë nga lojtarët e Getafe-s, që gjithsesi konsiderohen si një “kockë e fortë” dhe kundërshtar tepër i respektuar, duke patur parasysh që “azulones” kanë zhvilluar një edicion të shkëlqyer në këtë edicion të kampionatit spanjoll, teksa renditen në vendin e gjashtë në klasifikimin e përgjithshëm të Primera Division, me vetëm 5 pikë më pak se sa ekipi i Sevillas.

Portieri Thibaut Courtois u shtrëngua për të bërë tre pritje që në 12 minutat e para të takimit, ndërsa në fushë pamë një duel fizik dhe tepër të ashpër, të mbyllur me plot 10 kartonë të verdhë. Reali nuk është se pati shumë raste të mira për shënim, sidoqoftë për fatin e mirë të vendasve Mathias Olivera humbi duelin e mbrojtësve me rivalin e tij Dani Carvajal.

Penalltinë e shkaktuar nga mbrojtësi i ri uruguaian e mori përsipër natyrisht vetë kapiteni i Realit dhe nga pika e bardhë Sergio Ramos shënoi me shumë qetësi, duke konvertuar saktë 11-metërshin e 21 radhazi. Goli i realizuar në minutën e 79’ bën që Reali të shkëputet në +4 nga kampionët në fuqi të Barcelonës dhe të vendosë njërën dorë te titulli i 34-t në Primera Division në historinë e klubit, kështu që pengesat e vetme prej këtej deri në fund mbeten baskët e Athletic Bilbao-s, këtë fundjavë në “San Mames”, si dhe “nëndetësja e verdhë” e Villarealit në kryeqytet në javën e parafundit.

Goli i shënuar ndaj Getafe-s është i katërti në këto 6 ndeshjet e fundit, pasi më herët qendërmbrojtësi i Realit kishte gjetur rrjetën gjithashtu edhe në sfidat me Eibarin, Societadin dhe Majorkën. Sigurisht që një ecuri e tillë nuk e fsheh aspak ashpërsinë e tij në fushë dhe kartonët e kuq që ka marrë, përgjatë gjithë karrierës. Kartoni i kuq i marrë në disfatën 2-1, që ekipi i tij pësoi brenda në “Santiago Bernabeu” nga City i Guardiolës është i 26 në karrierë për mbrojtësin andaluzian dhe i katërti në Champions, karton që e barazon pikërisht në kuotën 4 me rekordmenët e “kupës me veshë të mëdhenj”, pra dyshen Zlatan Ibrahimovic – Edgar Davids.

Sa për statistikë rekordin e mban ish-mesfushori i përfaqësueses kolumbiane Gerardo Bedoya, që përgjatë dy dekadave me një dyzinë ekipesh në atdhe, Meksikë dhe Argjentinë është ndëshkuar me plot 46 kartonë të kuq. 4 golat e shënuar që pas rikthimit në njëfarë mënyre kanë shërbyer për ta pastruar disi emrin e tij, në këtë aspekt, por natyrisht tifozët i falin gjithçka, e ndoshta ja patën falur mbrojtësit që pas golit të realizuar në 93’ në “da Luz” ndaj Atletikos në derbin e famshëm me Atletikon e Diego Simeones, ku Sergio Ramos i hapi rrugë përmbysjes së madhe dhe triumit të Realit të Ancelotti-t në Champions.

Ndrydhja e krahut dhe nxjerrja jashtë loje e sulmuesit kryesor të Liverpulit Mohamed Salah në Olimpiyskiy të Kievit janë momente të pashlyeshme, që janë rrënjosur thellë në historinë, folklorin apo dhe mendjen e çdo tifozi të klubit, veprim që gjithsesi krijon një ide më të qartë por edhe një kuadër më të plotë të natyrës së tij luftarake.

Bën përshtypje këmbëngulja e tij për të ndihmuar skuadrën e tij në fazën sulmuese apo qoftë edhe dëshira për t’u përmirësuar para portës kundërshtare, duke treguar një besim të patundur në forcat e tij. Çdokush do të ishte dorëzuar ndoshta pas gabimit nga pika e bardhë në atë mbrëmje të mallkuar me Bayernin në “Bernabeu” në Champions, tetë vjet më parë, kur sidoqoftë nuk është se gaboi vetëm ai por gjithashtu edhe lojtarë të tillë si Cristiano Ronaldo dhe Ricardo Kaka gjithsesi 21 penallti të shndërruara radhazi në mënyrë të saktë është një detaj që bën vërtet shumë përshtypje.

Me 4 rrjetat e tundura në 6 sfidat e fundit kapiteni u ngjit në kuotën e 9 golave në këtë edicion të kampionatit spanjoll. 11-metërshi i 5 i saktë i konvertuar në këtë edicion të Primera Division, gjithsesi Sergio Ramos përfaqëson golashënuesin e dytë më të mirë të ekipit “merengues” në këtë sezon të kampionatit spanjoll, pas sulmuesit francez Karim Benzema, që numëron 17 gola gjithsej.

Pas golit të realizuar ndaj Eibarit 34-vjeçari andaluzian kaloi edhe ish-qendërmbrojtësin e famshëm holandez të Barçës Ronald Koeman, për t’u bërë ai mbrojtësi me më shumë gola të shënuar në historinë e kampionatit spanjoll. Gjithsej 70 gola Ramos i ka shënuar me Realin në Primera Division, ndërsa në karrierë në total në të gjithë kompeticionet kapiteni numëron 95 gola me “Los blancos”, 3 me Sevillan dhe 21 me përfaqësuesen e Spanjës.