Besnik Hasi për RTK-në: Drejtimi i Legias, gabimi im më i madh në karrierë
Sharr Travel

Besnik Hasi për RTK-në: Drejtimi i Legias, gabimi im më i madh në karrierë

Trajneri i njohur kosovar, Besnik Hasi, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTK-në nëpërmjet lidhjes me ‘Skype’ nga Arabia Saudite, ku tash e dy vjet po e ushtron me sukses zejen e trajnerit tek skuadra Al Raed, teksa e ka deklaruar se drejtimi i skuadrës polake Legia, me tifozë proserb, ka qenë gabimi më i madh i karrierës së tij.

Hasi ka thënë se tashmë është ambientuar mirë në Arabi, edhe pse kushtet klimatike janë të vështira, duke pasur parasysh se shpesh temperatura shkon deri në 45 gradë.


“Në fillim kur kam ardhur në skuadrën e Al Raed nuk kam pasur njohuri. Ky nuk është një klub si të tjerët ku kam punuar. Nuk është klub që ka fituar tituj, por është një klub me traditë që ka qenë vazhdimisht në kategorinë e parë. Në fillim nuk ka qenë i organizuar në mënyrë profesionale, por së bashku me presidentin e klubit kemi bërë hapa të mëdhenj përpara në organizim. Në sezonin e parë e përfunduam kampionatin në pozitën e 8 në një ligë me 16 klube, me disa ndeshje shumë të bukura. Këtë vit kemi qenë vazhdimisht në vendin e 4-5, por pas dy humbjeve të fundit kemi rënë në vendin e 7-të, por jemi duke e bërë një punë shumë të mirë”, ka theksuar Hasi në emisionin “Arena Sportive”.
 

Duke folur për objektivin e tij me skuadrën e Al Raed trajneri m e prejardhje nga Gjakova ka thënë se kur kanë mbetur të luhen edhe 8 xhiro deri në përmbyllje të kampionatit ambiciet e klubit janë që të përfundojnë më lartë se sa në sezonin e kaluar.

“Tani për herë të parë këtu në Arabi një president i klubit e ka të drejtën ta ushtrojë mandatin për 4 vjet dhe tashmë presidenti ynë e ka objektiv që ta ndërtojë klubin në atë nivel që të jetë në 5-6 vendet e para në kampionat”, ka shtuar Hasi.
 

Tutje Hasi ka folur për atë se çfarë e shtyri të vendosë për ta pranuar ofertën e klubit arab para dy vitesh, duke e pranuar se ana financiare ishte ndër arsyet kryesore. “Në momentin që presidenti erdhi me ofertë isha i papunë. Pata një bisedë në Turqi dhe ma shpjegoi klubin e tij. Më pas shikova shumë ndeshje të ekipit në video dhe u ula me stafin tim dhe me familjen dhe meqenëse kjo ishte oferta më konkrete të gjithë u pajtuam ta pranojmë. Edhe ana financiare ka qenë shumë më e mirë se sa në Evropë, ndonëse nuk kisha njohuri për klubin dhe as për mentalitetin atje e as se si funksiononte kampionati arab. Por në dy vitet e fundit është bërë shumë progres. Për herë të parë luhet më 16 klube dhe janë të lejuar 7 të huaj. Pra kualiteti është rritur shumë në dy vitet e fundit. Championsi i Azisë fitohet nga skuadrat e kampionatit të Arabisë dhe cilësia e këtij kampionati është më e forta në Azi. Është investuar shumë edhe nga vetë ministria e sportit për të transferuar futbollistë dhe trajnerë të huaj, derisa gjyqtarët e ndeshjeve janë të gjithë evropianë që ndajnë drejtësinë në Champions League, pasi federata ka marrëveshje me UEFA-n për t’i deleguar gjyqtarët më të mirë”, ka shpjeguar Hasi.

Ai ka folur edhe rreth zërave të fundit në mediat turke që e shohin atë te Fenerbahçe. “Të vërteta ka shumë në këto histori, pasi tërë verën kur je në pushime ke kontakte me menaxherë të llojllojshëm. Kur je nën kontratë nuk ke të drejtë të bisedosh me klube tjera, por lontrata ime ka skaduar në maj dhe kam pasur kontakte për të ardhmen time. Në qershor më ka telefonuar një menaxher dhe më ka pyetur për stafin dhe për anën financiare. Por, që unë kam pasur kontakt me Fenerhahçcen nuk është e vërtetë. Emri im është përdorur nga disa klube gjatë kësaj vere dhe është e vërtetë që me disa klube kam kontaktuar, por fakti pse ende jam në Arabi qëndron se ajo se ose nuk ka qenë oferta konkrete ose projekti jo i qëlluar”, ka nënvizuar Hasi.

 

Tutje Hasi e ka vlerësuar si gabimin më të madh në karrierën e tij profesionale drejtimin e klubit polak, Legia, derisa e ka pranuar se fakti që është shqiptar i ka kushtuar me mosbesim edhe te skuadra greke, Olympiakos.
“Legia ishte gabimi im më i madh profesional. Edhe pse e kam futur në Champions League. Prej largimit tim ata më nuk i shoh në garën elite. Po ta kisha emrin portugez do të isha ende në Olimpyakos, por ata nuk ma dhanë kohën e mjaftueshme për t’u treguar për shkak të prejardhjes sime”, është shprehur Hasi.

 

Ai ka treguar se në stafin e tij janë dy janë belgë dhe dy holandezë, derisa pengu më i madh është fakti që në Arabi janë pa familjet e tyre. “Familjet i kemi në vendet tona dhe kemi mundësi që çdo muaj t’i shohim disa ditë, por ky është pengu kryesor është që nuk e kemi familjen me veti. Kthimi në kampionatin belg? Ka pasur oferta jo vetëm tash, por edhe në nëntor nga Genku. Kanë qenë të interesuar dhe kam biseduar me klubin saqë edhe oferta u bë konkrete. Por Genku nuk kishte kapacitete të paguante dëmshpërblimin që kërkohej nga Al Raed”, ka thënë ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë.


Në fund, Hasi është shprehur se është i gatshëm të kontribuojë për vendin e tij. “Dëshira ime është që popullit tim t’i ndihmoj në çdo mënyrë, ndoshta përvoja ime si trajner do t’i vije në pah edhe vendit tim. Gjithmonë jam i gatshëm për vendin, por futbolli është i vështirë sepse nganjëherë nuk përputhen gjërat. Kur vjen oferta mund të jesh në kontratë dhe nuk mund të vendosësh vetë por vendos ai që të paguan dhe me të cilin je nën kontratë”, ka përfunduar Hasi.