Guardiola: Do të qëndroja te City edhe pa Champions!
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola është shprehur i lumtur që CAS-i rrëzoi vendimin e UEFA-s, që i kishte pezulluar “Citiziens” për dy vite nga Kupat e Evropës, mirëpo ka thënë se në çdo rast, ai do të ishte me Cityn.
“Jam tepër i lumtur me vendimin e CAS, kjo tregon se ajo që është thënë për klubin tonë nuk është e vërtetë. Situata ime personale ka qenë gjithmonë e qartë. Unë e thashë edhe një muaj më parë. Do të kisha qëndruar, me ose pa Champions. Disa në Angli kanë thënë se ne duhet të luajmë në ligën e dytë. Unë po ju them se do të qëndroja edhe në kategorinë e katërt me Manchester Cityn”, ka theksuar Guardiola në konferencë për media.
Ndërkaq, sa i përket kritikës së presidentit të La Liga-s, Tebas për vendimin e CAS-it, Guardiola është shprehur: “Z.Tebas duhet të ketë shumë zili për Premier League, ai është një ekspert i shkëlqyer ligjor. Herën tjetër do ta pyes se cilët gjyqtarë do të zgjedhim. Ai është një nga njerëzit që i pranon dënimet vetëm kur jepen sipas shijes së tij”.























