Zekiqi: Liga Kosovë-Shqipëri të shfrytëzohet për zhvillimin e talenteve
Sharr Travel

Zekiqi: Liga Kosovë-Shqipëri të shfrytëzohet për zhvillimin e talenteve

Federata e Basketbollit e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë janë duke punuar për jetësimin e ëndrrës së shumë shqiptarëve për formimin e Ligës së Përbashkët.

Në këtë ligë pritet të luajnë katër skuadrat më të mira nga Kosova dhe katër nga Shqipëria.

Komuniteti i Basketbollit në Kosovë e ka mirëpritur këtë ide të formimit të Ligës mes dy vendeve, sidomos nëse skuadrat u japin hapësirë lojtarëve të rinj.

Kështu mendon edhe basketbollisti i Kosovës dhe Klubit Golden Eagle Ylli, Samir Zekiqi.

“Është ide shumë e mirëseardhur. Është shumë mirë që të kemi më shumë ndeshje. Shpresoj se në këtë ligë do të ketë hapësirë për lojtarët e rinj e të talentuar. Ata duhet të përkrahen maksimalisht dhe të kenë sa më shumë hapësirë. Klubet të punojnë për nxjerrjen e talenteve dhe të përfitojnë lojtari, klubi, por edhe Përfaqësuesja”, ka thënë Zekiqi për faqen zyrtare të FBK-së.

“Qëllimi i Ligës nuk duhet të jetë kryesor se kush do të shpallet kampion, por të dalin edhe lojtarë të rinj që kanë potencial dhe për disa vite me përkrahje, të arrijnë sa më lart dhe të përfitojmë të gjithë së bashku, si lojtari, klubi, por edhe kombëtaret”, ka deklaruar Zekiqi.