Mourinho: Casillas një portier historik, e respektojmë njëri-tjetrin!

Mourinho: Casillas një portier historik, e respektojmë njëri-tjetrin!

Lamtumira e Iker Casillas nga futbolli i luajtur me portierin që vendosi të varë këpucët në gozhdë ka ngjallur një sërë reagimesh dhe me të drejtë pasi bëhet fjalë për një legjendë të futbollit që ka fituar gjithçka në karrierë.

Një ndër ata që ka folur për karrierën e Casillas është edhe ish-trajneri i tij te Reali i Madridit Jose Mourinho në periudhën 2010-2013, me të cilin Casillas nuk pati një raport shumë të mirë pasi Special One vendosi ta ulte në stol duke ia besuar portën Diego Lopez-it. Gjithsesi Mourinho thotë vetëm fjalë të mira për Casillas-in.

“Iker është një portier historik. Kemi pasur momente të vështira, kjo për shkak të vendimeve të mia profesionale dhe jo personale. Inteligjenca dhe pjekuria e tij, kanë ndikuar që të respektojmë gjithmonë njëri-tjetrin. Kemi kultivuar një miqësi të ndershme me kalimin e viteve. Të gjithë e dinë që kur e largova nga skuadra, pati disa konfrontime. Nuk do të thoja se bëhej fjalë për ego, më shumë ishte një problem midis kapitenit dhe trajnerit të Realit. S’e kam pasur aspak të lehtë ta merrja atë vendim, të vështirë e kishte edhe ai për ta pranuar“, thekson Jose Mourinho.