Ideja e çmendur në Madrid, Zidane kërkon Cavanin
Reali i Madridit është duke punuar prej disa ditësh në fshehtësi për të transferuar Edinson Cavanin.
Nisur nga situata e krijuar për shkak të “COVID-19” dhe krizës ekonomike, në zyrat e “Bernabeu”-t mendojnë se transferimi i Edinson Cavanit me 0 euro është një goditje e madhe në merkato.
Në Itali bëjnë me dije se “El Matador” shihet si zëvendësuesi ideal i Karim Benzemas. Me 200 gola të shënuar në 301 ndeshje me fanellën e PSG-së, Cavani vendosi që të largohej dhe të mos e rinovonte më kontratën. Edhe klubi nuk kishte më qëllim që të mbështetej tek uruguaiani, i cili tani mund të transferohet te “Galaktikët”.
Pak ditë më parë ai ishte shumë pranë kalimit te Benfica, por duket se gjithçka dështoi për shkak të kërkesës së lartë ekonomike që kishte sulmuesi 33-vjeçar. Ofertat për të nuk kanë munguar dhe njëra prej tyre ka qenë nga Madridi, ku Kavani nuk do të mendohej dy herë për të shkuar.
Zinedin Zidane do të ishte shumë i lumtur nëse do të kishte në ekip një zëvendësues ideal për Karim Benzeman, sepse gjatë sezonit që lamë pas kishte vetëm Luka Joviçin dhe Mariano Diazin. Të dy nuk bindën aspak dhe për këtë arsye mund të largohen.
Por në këtë merkato mund të ketë një kryqëzim të fateve mes Cavanit dhe Marianos. Benfica ka kërkuar informacione për këtë të fundit dhe ai është pranë kalimit në Portugali. Në Madrid u tha se nuk do të bënin merkato këtë herë dhe se Zidan ishte i kënaqur për të punuar me futbollistët që ka në dispozicion, por Cavani është një mundësi e artë për klubin spanjoll.
Ai ka eksperiencë ndërkombëtare dhe pavarësisht dëmtimit që ka pësuar, vazhdon të jetë një nga bomberat më të fortë në Europë. Di të luajë në ajër, por është edhe teknik. Do të përshtatej shumë shpejt në “Bernabeu”. Edhe tifozëve u pëlqen një lëvizje e tillë, pavarësisht se kanë dyshime për moshën e Cavanit.























