Werderi i jep leje Rashicës për ndeshjen me Moldavinë
Milot Rashica do të jetë në gjendje t’i ndihmojë Kosovës në ndeshjen e saj hapëse në edicionin e ri të Ligës së Kombeve kundër Moldavisë, por jo edhe kundër Greqisë këtë muaj, pasi klubi i tij Werder Bremen ka pranuar të bëjë kompromis me Federatën e Futbollit të Kosovës.
Ndërkohë, Anel Rashkaj është ftuar dhe do t’i bashkohet ekipit të parë të Kosovës nga ekipi rezervë.
Klubi gjerman kishte refuzuar fillimisht ta lejonte yllin e vet të skuadrës, Rashicën, të udhëtojë drejt Kosovës për ndeshjet e shtatorit në Grupin e 3-të të Ligës C në Ligën e Kombeve, për shkak të kufizimeve midis pandemisë koronavirus, përcjell GE.
Në një komunikatë për media, Werderi ka njoftuar se ka arritur kompromis me FFK-në dhe do ta lejojë Rashicën të udhëtojë drejt Italisë, ku do të zhvillohet takimi kundër Moldavisë më 3 shtator.
Pas këtij takimi, Rashica do të kthehet në Gjermani dhe nuk do t’i kërkohet të vetizolohet, njofton klubi i tij.
Megjithatë, ylli nga Vushtrria nuk do të jetë në gjendje t’i ndihmojë dardanëve në takimin e dytë në Grupin 3 kundër Greqisë më 6 shtator në Prishtinë.
“Milot Rashica do të udhëtojë drejt Italisë këtë javë për t’u përballur me Moldavinë me ekipin e Kosovës. Ai nuk do të lejohet të luajë në ndeshjen e dytë në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Werderit.
Werderi do të përballet me Cal Zeiss Jena në rundin e parë të Kupës së Gjermanisë më 12 shtator, prandaj nuk dëshiron që Rashica ta humbë këtë takim shkaku i Kosovës.
Në rast se Rashica do të luante në Prishtinë, atij do t’i kërkohej të vetizolohej sapo të kthehej në Bremen.























