Mrekulli ligjërimore me stile të larmishme

Mrekulli ligjërimore me stile të larmishme

Nga Ahmet MEHMETI

Në librin “Magjia e ligjërimit” poeti dhe mendimtari Agim Vinca thotë: ”Poet i vërtetë është ai që është i pajisur me shqisën e gjashtë, atë që nuk e kanë njerëzit e thjeshtë, të zakonshëm: invencionin”. Këtë tipar, nga i cili buron, prodhohet, del apo shpërthen një krijim origjinal, merr rrugë një mendim apo ide shumë e rëndësishme, mund ta quajmë mbindjesi. E gjithë krijimtaria e tij e larmishme si poet, kritik, historian, teoricien dhe metodist i letërsisë, antologjist, publicist, polemist, prozator, përkthyes, pedagog, intelektual, mendimtar etj e merr nismën, forcën, thellësinë dhe shkëlqimin pikërisht nga kjo mbindjesi.

Libri “Magjia e ligjërimit” është “rrëfim personal në formë kujtimesh”, frut i këmbënguljes dhe i një bashkëpunimi të gjatë e shumë të studiuar nga ana e shkrimtarit tashmë të mirënjohur Miftar Kurti me poetin dhe mendimtarin e shquar Agim Vinca në saje të njohjes së gjithanshme të veprës poliedrike të tij, vlerave pa fund që sjell ajo në letërsinë shqipe si e tillë dhe në shkencën e letërsisë veçanërisht por edhe në mendimin e veprimin intelektual mbarëkombëtar. Kurti ja ka dalë mbanë të na japë një vepër krejt të veçantë ku shpërfaqet jo vetëm jeta dhe krijimtaria artistike, shkencore dhe intelektuale e Agim Vincës por vlerësohen dhe analizohen arritjet, mangësitë e dobësitë e trashëgimisë sonë kulturore, gati njëshekullore, si edhe hedh dritë e hap perspektiva të qëndrueshme e shpresëdhënëse për të ardhshmen.

Përveç gjashtë kapitujve libri është pajisur edhe me nje anketë mjaft interesante si dhe me një fotoalbum të vogël por shume kuptimplotë.

Në rreth njëqind faqet e para të librit përmes intervistës me pyetje e përgjigje të drejtpërdrejta shpaloset jeta e Agim Vincës mes “çizmes serbe dhe opingës maqedone”. Përmes një gjuhe të pastër e të pasur, plot elegancë e muzikalitet, njihemi me familjen dhe fisin e tij, me jetën në vendlindje, Veleshtë, shkollimin në Strugë, punësimin dhe ushtrinë, studimet universitare e pasuniversitare, periudhën e veprimtarisë dyzetvjecare akademike në Universitetin e Prishtinës, jetën në paqe e në luftë, atë private e shoqërore deri në rolin e ministrit nën administrimin ndërkombëtar dhe pas robërisë serbe e daljes në veprimtari të lirë deri sot.

Në këtë shpalosje madhështore të një jete dinamike dhe shumë aktive lexuesi befasohet këndshëm nga faqja në faqe.

Në një familje relativisht të madhe Agimi ishte më i vogëli, “i teti në bronx” si thotë ai me shaka. Pikërisht ky, me punën e vet titanike do t’i ngrejë vetes një monument të lartë, të denjë për një hero të kohës sonë. Megjithse jetoi vetëm 19 vjet në fshat e pastaj mori rrugët e botës kurrë nuk e harroi vendlindjen. Në atë rrugëtim nga klasa e tretë nis shoqërimi i tij me librin që do të zgjasë gjithë jetës. Në atë rrugë do ta ndiqte gjithmonë jehona e fjalëve të babait për vatanin dhe flamurin kuq e zi, që një ditë, sipas tij, do të valonte përsëri “në Kosovë e Çamëri”.

Në këtë rrugëtim pune dhe lufte ai ka qenë i pranishëm në mbarë hapsirën shqiptare ku si profesor universiteti ka ligjëruar në Prishtinë e Tiranë, në Shkodër, Vlorë, Korçë, Gjirokastër, Prizren, Gjakovë e tek arbëreshët e Italisë, e kështu edhe në botën e jashtëme me paraqitje publike në festivale e tribuna si krijues dhe intelektual në Paris, Romë, Gjenevë, Hamburg e Nju –Jork e deri ne Jerusalem e Ramallah por një brengë e shqetëson edhe tani pasi fare pak ka qenë i pranishëm në Shkup, shumë me vonesë në Tetovë dhe aspak në Strugën e rinisë së herëshme, pikërisht atje ku Unioni i Intelektualëve të Maqedonisë me seli në Shkup propozoi shpalljen e tij ”Qytetar Nderi i Komunës së Strugës” të cilës jo vetëm i ka kënduar me shpirt në një poemë nga më të bukurat e letërsisë shqipe por me veprën e ndritur dhe punën e vet titanike ja ka bërë emrin të njohur kudo në botë.

Këtu kanë ndikuar për keq jo vetëm politikat diskriminuese të së kaluarës por edhe dashakeqët mjeranë (mashat), pa dinjitet kombëtar, që sado të pakët, veprojnë si thikë pas shpine duke dëmtuar institucionet e kujtesës morale e historike.

Duke i mbështetur dhe vlerësuar ngjarjet historike të së kaluarës si demonstratat e studentëve dhe Konsultën Gjuhësore të vitit 1968 ai e quan atë “Vit të Rilindjes së Shqiptarëvë në Jugosllavi”, “vit i fillimit të integrimit jo vetëm gjuhësor por edhe kulturor e shpirtëror të Shqiptarëve si komb”. Ai e krahason atë me vitet 1908, kur u zgjidh problemi i alfabetit në Manastir dhe vitin 1909 me themelimin e shkollës së parë të mesme shqipe, Normales së Elbasanit.

Po kështu Kushtetutën e 1974-s e për pasojë edhe Universitetin e Prishtinës (1970) i sheh si pjesë e pandarë e strategjisë politike të pjesës më më të vetëdijëshme të kombit, për të përfituar nga rrethanat e krijuara, pa hequr dorë nga aspirata e çlirimit kombëtar dhe e krijimit të shtetit të pavarur.

Për mbështetjen që u dhanë studentëve Agim Vinca me profesorët e tjerë intelektualë si Rexhep Qosja, Ali Aliu, Ali Hadri, Fehmi Agani, Ukshin Hoti etj ju nënshtruan diferencimeve të pushtetit të dhunshëm serb, u ndoqën me akuzën e rëndë “të ngarkuar me nacionalizëm”. Por mbrojtja nga pala atdhetare bëri që dënimi i planifikuar të kthehej në të kundërtën e vet. Në mbrojtjen e tyre u theksua: “Agim Vinca ka qëndrim kritik ndaj dogmatizmit ideologjik në letërsi, art dhe kulturë, ndaj estetikës normative të socrealizmit dhe formave të tjera restriktive që kufizojnë lirinë krijuese, ndaj skematizmit…” (Basri Çapriqi). Nga ai gjykim- diferencim i vitit 1981, dënimi më i rëndë ju dha Agim Vincës, vërejtje të fundit-parapërjashtim. Pas plot 10 vitesh vjen edhe përjashtimi nga universiteti për 8 vjet rrjesht deri në “kthimin në Kosovën e Lirë” në vitin 1999.

Dhe ndërsa vazhdonte lufta mizore e diferencim-dëbimeve me energji vullkanike shpërthenin hovet krijuese dhe ecnin përpara aktivitetet e ethëshme letrare-artistike të Agim Vincës si “Orët letrare”, “Mbrëmjet Letrare”, etj. Këto vijuan me aksionin e pajtimit të gjaqeve që përkoi me krijimin e UÇK-s dhe luftën e saj heroike. Me këtë vazhdimësi të punës kolosale argumentohet e spjegohet në këtë libër pse Agim Vinca nuk u largua nga Kosova, pavarësisht dëbimit nga puna e tij pasionante në Universitetin e Prishtinës.

Kësaj periudhe të jashtzakonëshme, sa tronditëse e po aq heroike i përshtatet më së miri metaforika dhe aludimet kaq shumë të goditura që bashkojnë historinë me realitetin, dukuritë që ngrihen në një spirale zhvillimore drejt majave më të larta të zgjidhjes përfundimtare në poezinë kushtuar Luigj Gurakuqit, emri i të cilit si shumë të tjerëve ju hoq një shkolle: “Poetët, thonë/ Vriten dy herë,/ Herën e dytë / Thika s’i ther./ S’i ther thika/ As s’ i zë plumbi/ Po ndonjë korb / Me pupla pëllumbi”.

Në këtë libër dalin qartë të vërtetat e mëdha rreth ngjarjeve që ndryshuan historinë, dhe në ç’masë ajo ndryshoi: Masakra e Reçakut, Konferenca e Rambujesë, Çlirimi i Kosovës në 12 qershor 1999 nga UÇK-ja dhe sulmi i NATO-s etj. “A mund të quhet historik takimi i cili nuk i korigjon padrejtësitë historike?”- bën pyetjen retorike Agimi. Në ato kushte për fushatën 78-ditore të bombardimeve ai shpreh frikën dhe pikëllohet se “mos Kosova po bëhej një Çamëri e re!”.

Si intelektual dhe ideolog pararojë i luftës për liri pas bllokimit të Bllacës ai do të ndiqte me zemër të ngrirë treqind autobusët me refugjatë kosovarë që u nisën për në Korçë nëpërmjet Manastirit, Velesit, Prilepit dhe Resnjes, pa qëndruar askund.

Libri të befason me pamjet goditëse si në Bllacë, ku megjithse në të dy anët e kufirit janë fshatra shqiptare bllokimi i morisë njerëzore të refugjatëve shqiptarë si zogj “ndër leqe: mes çizmes serbe dhe opingës maqedonase” e nxiste për të gjetur një zgjidhje të beftë duke aktivizuar të gjitha lidhjet e tij.

Dhe jo vetëm për Agimin por edhe për neve si lexues, pas kaq kohësh, na godet fort, na befason e na habit kundërshtimi kategorik i përfaqësuesit të UNMIK-ut për “përvetësimin e Abetares së Shqipërisë nga nxënësit e shkollave të Kosovës” dhe që i tërhiqnin vërejtjen si “sjellje e papërgjegjëshme”, gjë që e detyroi të japë dorëheqjen nga ai post.

Koha i ka dhënë dhe i jep gjithmonë të drejtë Agim Vincës në mendime, qëndrime dhe në veprat e tij.

Në kapitullin “Unë zjarrit nuk i druhem”nëpërmjet pyetje-përgjigjeve të mençura na shpaloset jeta e stuhishme gjatë periudhës dyzetvjeçare në Universitetin e Prishtinës, ku siç thotë vetë: “Po jeta jonë kish një qëllim: / botën ta ndryshonim” dhe “Trima na bëri kjo tokë e sertë;/ rininë asaj ja falëm”.

Këtij kapitulli i përkasin disa nga çastet më të vështira dhe më të lumtura të jetës, diçka që ai nuk do ta harrojë kurrë por edhe lexuesit do t’i mbeten gjatë në kujtesë dhe që ja vlen t’i përjetojë vetë ne libër. Shumë interesante na vjen gjendja ku është katandisur puna dhe jeta aktualisht në universitete, e cila i ka dhënë shkas krijimit të anekdotave që nuk dalin kot. Dhe ato që i venë vulën kësaj gjendjeje e që në këtë libër janë qëndisur me art filigramik jane “Perlat nga provimet” që e bëjnë lexuesin për të qeshur e për të qarë.

Pjesa që i kushtohet gjuhës, kombit, fesë dhe personaliteteve është një thesar më vete për nga shqiptimi i qartë i problematikave aktuale dhe rrugëve e pikvështrimeve të zgjidhjeve, analizave të thelluara dhe vlerësimeve të përpikta.Si idealist Agim Vinca i takon atyre personaliteteve që udhëhiqen në jetë e në gjithë veprimtarinë e tyre nga parimet e larta të lirisë personale dhe kombëtare dhe kanë për ideal të shenjtë bashkimin kombëtar.

Ai e quan gjuhën e njësuar letrare “faktor numër një integrues i kombit” megjithse të ndarë në gjashtë shtete ballkanike dhe ngrihet me focë kundër profecive ogurzeza të “konflikteve të armatosura” midis toskëve dhe gegëve të ndonjë shkencëtari mjerisht të politizuar. Ai mbetet ithtar i Faik Konicës që u bë i famshëm me pyetjen retorike ”Si do ta ndjej veten shqiptari i Pejës se është nga një komb me shqiptarin e Filatit, kur të mos jetë një gjuhë e përbashkme në mes tyre?”. Për më tepër thekson mësimin themelor të Naimit “Një komp ç’ vleftë t’i vërë vethesë, atë i vënë edhe të huajtë”.

Një interes të veçantë në këtë kapitull kanë analizat e përpikta të gjendjes aktuale në Republikën e Kosovës dhe atë të Shqipërisë, për pasojat e luftës dhe të tranzicionit pambarim, sëmundjen kronike të korrupsionit në gjithë hapsirën kombëtare shqiptare në Ballkan dhe si rrjedhim dhe e politikës aspak dinjitoze në marrëdhëniet me Serbinë, Maqedoninë dhe shumë të përkëdhelurën e Perëndimit, Greqinë ultraraciste, që mbahet fort pas Ligjit të Luftës Fashiste (AM) etj. Këto dukuri të shumta negative ai nuk nguron t’i shprehë duke ngritur zërin edhe në “Lutje për Kosovën” drejtuar si mesazhe ndaj autoriteteve dhe publikut me rastin e nderimit të tij nga Presidenti i Republikës së Kosovës me medaljen “Urdhëri i Pavarësisë”. Ky fjalim për nga solemniteti na kujton ato të nobelistëve para Akademisë së Stokholmit.

Qëndrime të tilla vinë natyrshëm pasi për Agim Vincën më parë “ekziston patria (atdheu), pastaj partia”, kur bëhet fjalë për fenë ai ndjek modelin e rilindasve “në plan të parë kombin e pastaj fenë”, për një “vetëdije kombëtare mbikrahinore e mbifetare”. Moto e tij është: “Identitetin shqiptar nuk e përcakton feja, por gjuha, kombësia, kultura, tradita, historia”.

Për intelektualin Vinca ka një pyetje zotëruese:”Kur do të kemi në krye të institucioneve tona shtetërore, si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë, njerëz që mendojnë edhe për shtetin e jo vetëm për vete, me një fjalë: shtetarë e jo pushtetarë”? Kështu ai na shkund nga çdo lloj optimizmi nanuritës që të ve në gjumë para një realiteti alarmant e kërcënues. Agimi mishëron intelektualin e armatosur me skepticizëm aktiv që mobilizon e paraprin njerëzit kundër të keqes.

Por e keqja më e madhe kombit shqiptar i vjen nga politika, pikërisht ajo politikë që i ka mbyllur dyert shqiptarëve në vendin e tyre ku ndihen si të huaj dhe detyrohen të marrin rrugët e botës kurse Agim Vincën e pengon të zërë vendin që i takon si Profesor Emeritus dhe Akademik në Akademinë e Shkencave e të Arteve ku sot dominojnë argatët e sklerotizuar të politikave antikombëtare.

Pavarësisht nga pengesat e vështirësitë e panumërta ai e vazhdon rrugëtimin poetik, kritik e akademik pa u ndalur e pa u përkulur as nga prangat as nga kufinjtë. Duke bërë fjalë për konceptin e vet poetik ai pohon: “Unë ashtu e ndjej poezinë, të lidhur me truallin dhe historinë; me këmbët në tokën amtare dhe me sy nga bota e madhe”. E gjithë vepra e Agim Vincës ka një gjerësi të madhe shprehëse e ligjërim të dendur figurativ dhe sëbashku me veprat e tjera ngërthen një pasuri kolosale konjitive duke marrë formën e plotë të një vepre kanonike.Si e tillë ajo integrohet në letërsinë europiane, në të quajturin “Qarku i Mesdheut”.

Identitetin e një tradite më mirë se çdo gjë tjetër ta sjellin parasysh toposet, konkretisht në këtë libër toposi i shoqërimit. Ashtu si Virgjili prin në udhëtimin dantesk, edhe në librin “Magjia e Ligjërimit”, Agimi i drejtohet intervistuesit këmbëngulës Miftar Kurti si me shaka:”përpiqu të më nxjerrësh nga “ferri” sa më parë ! ”.

Në shkrimet analitike para çdo kapitulli Miftar Kurti jep qartë dhe me një dendësi të paparë, maksimale, gjithëçka duke na përgatitur për ato që do të shtjellohen në dialogët që shumë rrallë na ka rënë rasti të kemi lexuar ndonjëherë. Në këta dialogë shpalosen ide dhe konceptime që pasurojnë kulturën krijuese duke përgjithësuar praktikat më të përparuara të trashëgimisë botërore dhe kombëtare: “Poezia nuk është vetëm çështje e ndjenjës, por edhe e mendimit” thekson Agim Vinca duke nxjerrë deduksione nga veprat e Bodlerit dhe Edgar Allan Po-s. Nga Brehti sjell inkuadrimin në strukturën e poezisë lirike të gjuhës së gjallë të folur dhe stilit bisedor (kolokuial) si reaksion ndaj hermetizmit dhe estetizmit shterp. Prej Ricosit veçon sintezën e fuqishme figurative dhe mënyrën e abstragimit poetik.Të gjitha këto i sheh si risi dhe zhvillim të mishëruara edhe në poezinë moderne shqipe.

Lidhur me raportet mes historisë dhe letërsisë ai sjell mendimin e Aristotelit se njeri rrëfen ç’ ngjan (historiani) kurse tjetri (poeti) si mund të ngjaj. Dhe për ta bërë të kapëshme për lexuesin perifrazon Manconin, i cili thotë se historia i ofron ngjarjet së jashtmi: vendet, emrat, datat, faktet, shifrat. Kurse poezia, sipas tij, merret me atë ç’ kanë bërë njerëzit, ç’ kanë menduar, ndjenjat që i kanë shoqëruar ato, fjalët të cilat janë përpjekur t’i shprehin ato si dhe vullnetin e tyre, zemërimin e dhimbjen e tyre, nëpërmjet të cilave kanë shprehur individualitetin e tyre. 

Duke bërë fjalë për një nga plagët më të mëdha të letrave shqipe, kritikën letrare, ai ngulmon: “veçanërisht ai lloj i kritikës që ka mision ndjekjen e produktit letrar aktual, është në krizë të thellë, për të mos thënë në agoni të plotë”. Ndihmesën e jashtzakonëshme të Agim Vincës për kritikën letrare bashkohore Miftar Kurti e përkufizon kështu: “Ai ia shembi kufijtë artificialë kritikës letrare, që synonin ndarjen e letërsisë shqipe”. Më tej ai vlerëson lartë guximin e Agim Vincës për t’u shprehur haptas, qartë dhe pa ekuivoke për disidencën dhe disidentët shqiptarë si dhe për mungesën e një Historie të mirëfilltë të letërsisë shqipe duke konkluduar qartë:”Ka shembur kufijtë edhe në epoka edhe në koka”. Vlerësimin më të lartë si kritik letrar për Agim Vincën e bën Rexhep Qosja: “Njeriu që e shkruan më së miri kritikën letrare në Kosovë” (f.236) pasi në Republikën e Shqipërisë dihet se ka qenë totalisht e politizuar.

Ideimi i këtij libri nga Miftar Kurti si një enciklopedi e një lloji të veçantë na lehtëson njohjen me vlerësimet për poetë të traditës moderne shqiptare, për poetë të shquar të huaj që kanë ndikuar në poezinë shqipe bashkohore, për dukuri e risi artistike, për personalitete e shkolla letrare të spikatura ku veçohet Prof. Rexhep Qosja për të cilin Agimi thekson: “Mund të thuhet lirisht se është themelues i një shkolle të studimit të letërsisë ndër ne por edhe me veprën e tij (sidomos), ka qenë shkollë për ne”.

Në kapitullin e fundit, të emërtuar ”Gjysëm buke dhe një libër”, na shpërfaqen qartë misioni dhe vizioni, sikur vërshojnë reagimi, revolta, pasioni dhe erudicioni të figurës madhore të Agim Vincës. Në librat e tij publicistikë ai e konsideron indiferencën dhe konformizmin si armiq potencialë të njerëzimit. Nuk e sheh të keqen që kërcënon vendin vetëm tek armiqtë e jashtëm por edhe “kur djalli vepron brenda nesh” (Arti i reagimit). Duke ju kundërvënë akulturimit, tek vepra publicistike “Poetika e fjalës”, thekson: ”detyrë e shkencës më shumë se të japë përgjigje është të shtrojë pyetje”.

Në antologjinë e famëshme polemike “Lufta e penave” të Sevdai Kastratit polemizon në mbrojtje të dinjitetit të shqiptarëve si komb prej sulmeve, fyerjeve, shpifjeve dhe akuzave të propagandës serbo-maqedone etj.

Ky libër e njeh lexuesin edhe me fusha të tjera të krijimtarisë artistike dhe intelektuale, veprimtari nga më të larmishmet të këtyre natyrave, të panjohura deri tani, si dhe debate në forume nga më të larmishmet, brenda e jashtë trojeve etnike shqiptare, deri në letërkëmbime dhe shkrime elektronike etj. Këtu marrin përgjigje pyetje si: pse shkruani, për kë shkruani, kur shkruani, çka ju frymëzon?...

Theksojmë se libri “Magjia e ligjërimit” në pikëpamje të kompozimit dhe konceptimit si i tillë është jo vetëm një autobiografi e dhënë në dialogë por edhe një enciklopedi inteligjente, një mozaik shumëngjyrësh stilesh, një harmoni gjinish / zhanresh që mund të lexohet e rilexohet si zinxhir tregimesh plot kuptim e rrjedhshmëri, poezi e ndjerë me forcë të madhe shpirtërore e mendim të thellë, si fragmente romani, si histori letërsie dhe arsimi, si eseistikë kritike letrare e shoqërore, si dialog i thellë filozofik etj.