Ja çfarë thonë Mezani e Munishi pas sfidës Gjilani-Ballkani
Ismet Munishi e konsideron epilog real barazimin e Ballkanit ndaj Gjilanit.
Trajneri i suharekasve tha se skuadra e tij me pak fat do ta fitonte ndeshjen.
Rënien e dukshme në lojë të Ballkanit në 15 minutat e fundit, Munishi e arsyeton me faktin e presionit të Gjilanit.
“Ishte një paraqitje e mirë e skuadrës. Jam shumë i kënaqur me luftën dhe angazhimin. Kishim përballë një kundërshtar të fortë. Kishim raste, ashtu siç kishte edhe Gjilani”, theksoi Munishi për Art Sport.
“Me pak fat do të fitonim, por barazimi është epilog real. Ishte një lojë e fortë, burrërore, vetëm kështu mund të shkojë përpara futbolli”.
“Jemi skuadra më e përgatitur fizikisht në ligë. Kundërshtari na bëri presion në 15 minutat e fundit, nuk është se ne ramë fizikisht”, shtoi Munishi.
Gentjan Mezani: Jam i kënaqur me barazimin, ja çfarë po i mungon Gjilanit!
Ndërkohë, trajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani është i kënaqur me barazimin në shtëpi ndaj rivalit për titull, Ballkanit.
Ai theksoi pas ndeshjes që skuadrës po i mungojnë sulmuesit që i ka të dëmtuar, raporton Olle.
“Ishte një ndeshje shumë e fortë për dy skuadrat. Nuk arritëm t’i shfrytëzojmë mundësitë tona që i patëm. Në pjesën e dytë shtuam presionin në fushën e Ballkanit, por nuk arritëm të shënojmë”, deklaroi Mezani.
“Trepikëshi do të ishte i madh për vazhdimësinë, por skuadra ka nevojë të përmirësohet dhe të komponohet me futbollistët që kanë ardhur”.
“Shpresoj që sa më shpejtë të na afrohen lojtarët që na mungojnë, sepse në këto tri ndeshje kemi bërë mirë”.
“Ndoshta jam i kënaqur me angazhimin si me Llapin ashtu edhe sot, por na mungojnë ato goditjet para portës”, shtoi Mezani.























