Nadal në finale, synon të barazojë rekordin që e mban Federer
BKT
Sport

Nadal në finale, synon të barazojë rekordin që e mban Federer

Për herë të tretë në histori finalja e turneut në “Roland Garros” do të luhet ndërmjet dy tenistëve Rafael Nadal dhe Novak Djokovic.

Dy tenistët favoritë respektuan parashikimet në fazën gjysmëfinale dhe tani do të përballen pikërisht në takimin përmbyllës, me synimin për të kërkuar rekorde të reja në karrierën e tyre.

“Mbreti i fushave me dhe”, Nadal natyrisht konsiderohet favorit, teksa paraqitet për herë të 13 në karrierë në një finale, në fushën qendrore në “Philippe Chatrier”. Rafa ka fituar 12 nga 12 finalet e luajtura në dheun e kuq të Parisit, sidoqoftë nëse ia del mbanë për të kaluar numrin 1 të botës Novak Djokovic në pengesën e fundit atëherë tenisti spanjoll do të barazohet me të madhin Roger Federer, me plot 20 tituj të fituar në turnetë e mëdhenj të Grand Slam-it.

Në 13 turnetë e fundit Slam që janë zhvilluar 34-vjeçari nga Majorka ka fituar 5 trofe, praktikisht po aq sa edhe tenisti nga Serbia, që nuk është mposhtur nga askush gjatë këtij sezoni.

Tenisti spanjoll ka fituar 3 edicionet e fundit në “Roland Garros” dhe në mënyrë të kuptueshme të gjithë fazën përgatitore Rafa e përshtati në funksion të Turneut të madh të Francës, ku “mbreti i fushave me dhe” e ka fituar plot 12 herë “Kupën e Musketierëve”.