Shala: Problemi i rezultateve të Kosovës është tek udhëheqësia
Gazetari i njohur dhe ish drejtuesi i RTK-së, Mentor Shala i ka komentuar sonte rezultatet e dobëta të Kombëtares së Kosovës.
Duke folur në emisionin “Dardanët” në RTK në prag të ndeshjes Greqi-Kosovë, Shala tha se është i zhgënjyer, por jo i dëshpruar me ekipin dhe lojtarët kosovarë.
“Janë këta lojtarë që na bënë krenarë, na bënë krenarë dhe e promovuan Kosovën më shumë se politika. Kemi pritur rezultate më të mira, s’po me pëlqejnë këto rezultate. Po e shoh një far lloj dëshprimi të vet lojtarëve, nuk e di ku është problemi. Më së pakti e kanë fajin futbollistët. Janë të njëjtit që na sollën shumë gëzime dhe shumë krenari. Dhe përnjeherë ndërroi gjithçka. Nuk është e mundur që brenda 5-6 muajve të ndërroj gjithçka”, ka thënë Shala.
I pyetur se ku është problemi me këto rezultate të dobëta, ai tha problemi është diku tjetër dhe duhet gjetur ai problem. “Problemi është te strategjia, është te udhëhqësia. Para ndeshjes duke e dëgjuar konferencën e përzgjedhësit të Kosovës, ai tha se nuk duhet të mendojmë se do të shkojmë në Botëror. Nuk duhet të thuhet ashtu, sepse është demotivuese. Aty e kam parë që diçka nuk është mirë. Me thonë ne s’e nuk mundemi ta mposhtim Greqinë, është problematike”, ka theksuar Shala.
Kosova sonte në Athinë, me fillim në ora 20 e 45, ndeshet me Greqinë në kuadër të Grupit C të Ligës së Kombeve. /RTKLive/























