Vëllezërit Muriqi dhe Sahit Kelmendi ngushëllojnë familjen Sinani
Vdekja e papritur e ikonës së futbollit kryeqytetas, Shefqet Sinani ka tronditur opinionin kosovar. Ish-futbollisti i gjeneratës së artë të Prishtinës, mëngjesin e së premtes u nda nga jeta, duke kaluar në botën e përjetësisë, atje ku do të takohet me disa prej ish-bashkëlojtarëve të tij si Fadil Vokrri, Favzi Rama, Faton Domi etj.
Së fundmi telegram ngushëllimi për familjen Sinani dhe miqtë e tij kanë dërguar edhe vëllezërit Fadil e Xhevdet Muriqi dhe Sahit M. Kelmendi.
“Me dhimbje të thellë e kuptuam lajmin se shoku dhe bashkëlojtari ynë shumëvjeçar paska ndërruar jetë, prandaj pranoni ngushëllimet tona të thella për vdekjen e tij të parakohshme me shpresë se do të gjeni forcën e mjaftueshme ta përballoni dhimbjen e madhe!
Me dhimbje dhe respekt, ish-shokët dhe bashkëlojtarët e Shefqetit,
Fadil Muriqi, Xhevdet Muriqi dhe Sahit M. Kelmendi”, thuhet në telegramin e ish-futbollistëve të Prishtinës.























