Libri “Yll në rrem” na zbulon amën e këngës
Gazetari dhe shkrimtari i mirënjohur nga Prishtina, Shefqet Rexhepi, sapo e ka botuar librin e radhës - përmbledhjen poetike për fëmijë, Yll në rrem. Redaktori i këtij libri, Arben Veselaj, ka vlerësuar se në vargjet plot harmoni të këtij libri lexuesi has në poezi qe brenda tyre kanë figurat e mendimit, “të cilat dalin herë si akuarele pranverore, herë si mendime poeti, herë si porosi mësuesi, mbase edhe si testament ortaku”.
Sipas Veselajt, poezitë e këtij libri bëhen lojëra magjike përmes të cilave madhërohet e bukura, e mira dhe e vërteta, sikurse madhërohen edhe kryeshenajt e etnisë kombëtare shqiptare: atdheu, gjuha shqipe etj.
“Libri Yll në rrem ka një tendencë për t’u kthyer tek ama e këngës (poezisë), për t’ia zbuluar rrënjën fjalës me të cilën ndërtohet (imagjinohet) një botë e mirë (ideale). Përmes lojës magjike të vargënimit autori na shfaqet si një mjeshtër i rrallë i skemave kompozionale; na shpalos një botë ideale që gjallon brenda ëndrrave dhe vegimeve fëmijërore”, ka shkruar më tej Veselaj për librin e Shefshqet Rexhepit.
Shefqet Rexhepi (1951), shkrimtar, gazetar, kritik letrar e teatror, deri më tani ka botuar këto vepra: “Si e mëson Luli historinë” (2005), “Princesha bëhet flutur” (2010), “Gjethe ëndërrimtare” (2010), “Trekëndëshi artistik” (shkrime për teatrin, 2008), “Frymë e etur kohe” (intervista me krijues dhe studiues, 2017), “Palca thërret ashtin” (poezi, 2019) etj.
























