Shkëlqim Muça: Vllaznia e meritoi fitoren
Vllaznia ruan kreun, Tirana arrin fitoren e dytë në epokën Dede, Teuta vazhdon të barazojë, Bylisn “shijon” fitorene parë, ndërsa Kukësi koleksionon pesë triumfe radhazi.
Gjithçka që ka ndodhur në javën e tetë të Ligës Superiore, i përhershmi i emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH bën analizën e radhës.
Për Vllaznia-Partizani: “Shkodranët e kërkuan më shumë fitoren. Partizani ishte i kënaqur dhe me një barazim. Kur e kërkon fitoren, mund ta arrishë atë në çdo moment”.
“Nuk mund të thuash se Vllaznia dominoi, ndeshja ishte pothuajse e barabartë. Por kuqeblutë ishin më kërkues, kishin më shumë dëshirë. Partizani u tregua më shumë i kujdesshëm. Mund të them se Partizanit i mungon improvizimi, sidomos në 30 metrat e fundit. Trajneri ka gjithmonë të drejtë, por unë mendoj se Bardhi e Asani duhet ta kishin nisur nga minuta e parë ndeshjen. Vllaznia ishte më e qartë në fazën sulmuese, sulmonte me të gjitha forcat, në çdo ndeshje kemi parë që futen në fushën e lojës me dëshirën për ta fituar atë. Tifozët e pranishëm? Nëse ka pas njerëz të tepërt, duhet të zbatohet rregullorja".
Për Kukësi-Skënderbeu: – “Ishte një fitore e lehtë, në një fushë shumë të mirë, që Kukësit i vjen për shtat. Në ndeshjet e parakishte vështirësi, kalendari ishte shumë i fortë. Por me kalimin e javëve arriti të gjejë ritmin dhe do të jetë aty deri në fund”.
Për Tirana-Apolonia: “Ishte e lehtë për tu fituar, por Tirana e vështirësoi në pjesën e parë. Kur nuk shënon, ndeshja vështirësohet. Në pjesën e dytë Tirana u fut me një tjetër ritëm dhe arriti të marrë tri pikët. Pikët që ka marrë deri tani mendoj se i kanë dhënë një qetësi. Ndeshje të lehta nuk ka, por fryma që është krijuar të bën ta synosh këtë trepikësh".
Për Teuta-Laçi: “Ndeshje më e thjeshtë se të tjerat në aspektin sulmues për Teutën, por pësëri nuk arritën të gjejnë rrugën e rrjetës. Ishin disa moment, që sulmuesit nuk duhet të kishin gabuar, sidomos në rastin e Krasniqit. Laçi kishte pamje tjetër sot, me një trajner të ri. Në pjesën e dytë u përpoq të mbrojë rezultatin. Mendoj se është vonuar shumë në ndryshimin e trajnerit. Duro ka eksperiencë, ka një ndeshje të fortë në javën e ardhshme dhe mendoj se është mundësia e fundit për tu ngjitur”.
Për Bylis-Kastrioti: “Goli i parë ishte një gabim amatoresk i lojtarit të Kastriotit, që e lejoi kundërshtarin të krijonte diferencë, pavarësisht se nuk e kishte topin në këmbë, ishte më i ngadaltë. Në pjesën e dytë edhe mund ta barazonte ndeshjen”.























