Kërkohet nga tri Kombëtare, axha i Tomas zbulon të ardhmen e lojtarit
Se cilën Kombëtare do ta përfaqësojë mesfushori i klubit belg Genk, Bastien Toma që një kohë mbetet në dyshime.
Toma që momentalisht është duke përfaqësuar Kombëtaren e Zvicrës U21, ka të drejtë që pas Euro 2020 U21 të zgjedhë edhe Kombëtaren e Kosovës ose atë të Shqipërisë.
Axha i Bastienit, Ali Toma ekskluzivisht për lajmi.net, ka zbuluar se interesimin e parë e ka treguar Federata e Shqipërisë para tri viteve, mirëpo sivjet përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes është takuar shpesh me prindin e lojtarit.
“Federata e Shqipërisë e ka kontaktuar para tri viteve, por sivjet trajneri i Kosovës që jeton aty ku jeton Toma shihen shpesh dhe bisedojnë me atë dhe babën e Tomës”, tha fillimisht ai.
Tutje, ai bëri të ditur se familja preferon që mesfushori i talentuar të përfaqësojë “Dardanët”, por vendimi përfundimtar i takon lojtarit, që do vendos pas Evropianit U21.
“Nuk e di, është zgjedhja e tij, por na si familje jemi me Kosovën, por ai do vendos vet gjatë pranverës. Ai do të vendos pasi të përfundojë Evropiani”, nënvizoi axha i lojtarit.
Toma këtë edicion ka bërë tri paraqitje për Genkun.























