Reali synon finalen e Superkupës së Spanjës
BKT
Sport

Reali synon finalen e Superkupës së Spanjës

Futbolli nuk mungon as në këtë të enjte. Vëmendja më e madhe është padiskutim te gjysmëfinalja e dytë e Superkupës së Spanjës aty ku do të përcaktohet se cila skuadër do të sfidojë Barcelonën në finalen e të dielës.

Në stadiumin La Rosaleda të Malagas, kampionët e La Ligas, Reali i Madridit do të sfidojë finalisten tjetër të Kupës së Mbretit Athletic Bilbaon, në një ndeshje ku skuadra e Zidane është ndjeshëm favorite.

Sfida do të startojë në orën 21:00 dhe Reali do të kërkojë ta zgjidhë çështjen e kualifikimit në kohën e rregullt por të mos shpenzuar aq shumë energji sa Barcelona që ndaj Real Sociedad fitoi vetëm pas goditjes së penalltive, në mënyrë që të shkojë sa më i freskët në finale.

Rodrygo është mungesa e vetme e skuadrës së Zidane në një ndeshje që do të luhet në praninë e një numri të reduktuar shikuesish, transmeton SS.

Në orën 21:15 do të luhet edhe ndeshja e fundit e raundit të 1/8-ave të Kupës së Italisë mes Atalantës dhe Cagliarit një duel sa interesant. Do të ketë pak rotacion në formacionet e të dyja ekipeve por pavarësisht ndryshimeve që mund të bëjnë dy trajnerët, Atalanta mbetet favorite për të kaluar turin.