Sali Bytyçi vije me librin e radhës, `Koha bun te njerëzit`
Poeti, studiuesi dhe kritiku i mirënjohur letrar nga Prishtina, Sali Bytyçi, sapo e ka botuar vëllimin me poezi - të gjashtin me radhë, me tiull “Koha bun te njerëzit”. botim i shtëpisë botuese “Faik Konica”.
Libri ndahet në tetë cikle: “Mendime heretike më vizitojnë”, “S’ka heronj pas luftës”, “Koha kur isha numër”, “Baladë për veten”, “Dimni – burr’ poligamist i tri grave”, “Me besu’ në drejtësinë hyjnore”, “Eunukë e harambashë” dhe “Marrëzia e zgjidhun”.
Recensuesja, Arta Maxhuni, ka shkruar se Sali Bytyçi me këtë libër “fisnikërisht shpërthen në vargje; poezia e tij ka ndjesi të holla e të fuqishme që depërton thellë në botën e brendshme të secilit, duke sjellë kënaqësi dhe pakënaqësi njëkohësisht”.
Sipas Maxhunit, derisa lexohen poezitë e Sali Bytyçit, lexuesi dallon çiltërsinë e poezisë dhe sensin shpirtëror e filozofik. Më tej ajo shprehet se ky vëllim poetik është vijimësi e frymës së patjetërsuar të veprimtarisë së autorit, “i cili kurrë nuk rreshti së madhëruari të vërtetën”.
Dr. Sali Bytyçi në letërsinë e sotme shquhet si kritik letrar dhe studiues i letërsisë. A ka botuar deri më tani disa vepra nga fusha e kritikës letrare dhe e studimeve të letërsisë: “Labirinteve të tekstit letrar” (kritika dhe recensione, 2003; “In medias res” recensione, 2007; “Simbolet florike dhe zoomorfike në poezinë e sotme shqipe”, monografi, botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës, 2007; “Fjalë prej guri” (Vepra letrare e Azem Shkrelit, Instituti Albanologjik, 2010; “Prej pseudoteorive deri te plagjiatura”, Instituti Albanologjik, 2011; “Shkrime kritike për letërsinë” (studime, kritika dhe recensione), Instituti Albanologjik, 2011), ndërsa disa njësi poetike të tij janë përkthyer dhe botuar në ghuhën angleze në SHBA, në vitin 2013, me titull “What’s Left of the Dream”.
























