Skitari, Arbi Pupovci siguron pjesëmarrjen në Olimpiadë
BKT
Sport

Skitari, Arbi Pupovci siguron pjesëmarrjen në Olimpiadë

Arbi Pupovci është sportisti i parë nga Kosova që e siguroi një normë olimpike për Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022”.

20-vjeçari nga Peja mblodhi pikët e mjaftueshme të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS), për të fituar normën olimpike në disiplinën e sllallomit të skijimit alpin, transmeton Gazeta Express.

Për ta fituar normën në këtë disiplinë duheshin pesë rezultate me pikë më pak se 160 në një garë.

Pupovci rezultatin e pestë e arriti javën e kaluar në Pamporovo të Bullgarisë, ku edhe u ngjit në podium si vendi i tretë.

Paraprakisht mori pjesë në Borovets të Bullgarisë, në Kollashin të Malit të Zi, si dhe në Erzurum të Turqisë.

Krahas Pamporovos, medaljen e bronztë e kishte fituar edhe në Erzurum, në dhjetor të vitit të kaluar.

Në botëror krahas Arbit, do të marrin pjesë edhe Albin Tahiri e Fiona Blaka Rusta.

Tahiri kishte përfaqësuar Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore PyeongChang 2018, në të pesë disiplinat e skijimit alpin.

Edhe ai është duke garuar për ta fituar normën.

Ekipi Olimpik i Kosovës nuk mund të marrë pjesë në Olimpiadë me dy garues të së njëjtës disiplinë.

Një gjë e tillë mund të ndodh vetëm nëse ndonjëri prej skitarëve tanë ndodhen në top 30-she në disiplinë.

Pupovci krahas sllallomit synim e ka të fitojë normën edhe në sllallom të madh, ku po ashtu duhen pesë rezultate me pikë nën 160.

Normën olimpike po e kërkon edhe Fiona Blaka Rusta e Kiana Kryeziu në disiplinat sllallom dhe sllallom të madh, por që me rezultate janë ende larg.

Arbi, Albini e Fiona janë bursistë të KOK-ut për LOD Pekin 2022.

Ata marrin bursë prej nëntorit të vitit 2019.

Lojërat Olimpike Dimërore mbahen prej 4 deri më 20 shkurt 2022 në Pekin të Kinës.