Solskjaer në provë deri në fund të sezonit te “Djajtë e Kuq”
BKT
Sport

Solskjaer në provë deri në fund të sezonit te “Djajtë e Kuq”

Drejtuesit e Manchester United do të presin fundin e sezonit për të vendosur në lidhje me një rinovim të mundshëm të kontratës me trajnerin aktual Ole Gunnar Solskjaer.

Tekniku norvegjez, që do të festojë 48-vjetorin në fundin e këtij muaji, e mori drejtimin e ekipit më të titulluar në historinë e kampionatit anglez më datën 19 dhjetor të vitit 2018, menjëherë pasi trajneri i mëparshëm, Jose Mourinho, u shkarkua nga drejtuesit e klubit, të cilët e konsideruan si të papranueshme diferencën e 16 pikëve që kishin asokohe “Red Devils” me vendin e parë, pas disfatës në derbin e famshëm të veriperëndimit me Liverpoolin, transmeton Super Sport.

Historia dihet, Ole e mori skuadrën për ta drejtuar përkohësisht deri në përfundimin e sezonit 2018-19, megjithatë më datën 28 mars të vitit 2019, pasi fitoi 14 nga 19 ndeshjet e para në të gjithë kompeticionet Solskjaer, u shpërblye nga krerët e klubit me një kontratë 3-vjeçare. Pra, trajnerit nordik i kanë mbetur edhe 16 muaj nga marrëveshja e arritur dy vjet më parë, sidoqoftë, sipas “The Sun”, drejtuesit tani kanë ndër mend për të pritur mbylljen e sezonit aktual, përpara se të nisin bisedimet në lidhje me një rinovim të mundshëm të kontratës.

Në fundin e muajit janar, “Djajtë e Kuq” u mundën në shtëpi nga Sheffield United, klubi i vendit të fundit në Premier League. “Blades” ia dolën mbanë për të triumfuar brenda në “Old Trafford” për herë të parë që nga viti i largët 1973, sidoqoftë ekipi i drejtuar nga trajneri Ole Gunnar Solskjaer vazhdon të renditet në vendin e dytë të kampionatit anglez, pavarësisht se ka fituar vetëm 1 takim në 4 sfidat e fundit në Premiership.

Diferenca me City-n e Guardiolës ka shkuar në 5 pikë dhe, siç dihet, “Sky Blues” kanë gjithashtu edhe një ndeshje për të rikuperuar, por gjithsesi drejtuesit e klubit janë shumë të kënaqur me punën e bërë deri tani nga trajneri norvegjez. Solskjaer ka besimin e familjes Glazer si dhe të administratorit të përgjithshëm, Ed Woodward, ndonëse për hir të së vërtetës Solskjaer nuk ka fituar ende asnjë trofe me klubin e famshëm anglez.

Drejtuesit nuk duan aspak një shpërqendrim të mundshëm të skuadrës, gjë që u vu re edhe në muajt e mbetur të sezonit, në vitin 2019, menjëherë pasi OGS u bë trajner me kohë të plotë te “Red Devils”. Krerët e klubit kanë vënë si objektiv kualifikimin për në “Zonën Champions”, ndërsa më pas palët do të mund të ulen të qeta për të biseduar për të ardhmen. “The Sun” zbulon se krerët e klubit kanë ndër mend t’i ofrojnë Solskjaerit një kontratë të re 2-vjeçare dhe një përmirësim të ndjeshëm edhe në aspektin financiar, pasi bëhet fjalë që trajneri nordik të përfitojë 6 milionë stërlina në vit, përveç bonuseve.

Pas fitores së parë të Pep Guardiolës në kampionat, brenda në Anfield, ish-mbrojtësi legjendar i United, Rio Ferdinand, deklaroi se çështja e titullit duhet konsideruar e mbyllur. Fundjavën e kaluar, në çerek orën e mbetur të takimit, vendasit hoqën dorë nga loja sulmuese dhe u përpoqën thjesht për të administruar avantazhin, megjithatë Dominic Calvert-Lewin shënoi nga shumë pranë në 95’ dhe Evertoni i Ancelotit u largua nga “Teatri i Endrrave” me një pikë, falë barazimit 3-3.

Manchester United u eliminua në mënyrë të dhimbshme që në fazën e grupeve në Champions, kështu që si shpresë të vetme për trofe këtë sezon trajneri Solskjaer ka Europa League-n, ku “Red Devils” do të masin forcat me ekipin bask, Real Sociedad, ndërkohë vlen të kujtohet gjithashtu fakti që me trajnerin norvegjez në timon “Djajtë e Kuq” kanë humbur në harkun e vetëm 13 muajve plot 4 gjysmëfinale radhazi.