Kreu i FFK-së po qëndron në Gjermani
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi po qëndron në Gjermani.
Ai përmes një postimi në Facebook ka njoftuar për disa takime të zhvilluara.
NJOFTIMI:
Vizitën time në Gjermani pata kënaqësi ta nisi në takim me zëvendëspresidentin e ri të DFB-së, Hermann Winkler, e ku të pranishëm ishin edhe miku i madh i FFK-së, Rainer Milkoreit dhe përfaqësuesit tanë në Gjermani, vëllezërit Shoshi.
z. Winkler e urova për postin e tij në DFB, duke i dëshiruar suksese të vazhdueshme. Gjatë këtij takimi zhvilluam një bisedë tejet përmbajtësore dhe të rëndësishme për FFK-në dhe futbollin kosovar në përgjithësi.
U dakorduam për realizimin e projekteve të përbashkëta, e të cilat parashihen edhe me Memorandumin e Bashkëpunimit.
Fillimisht në qershor një pjesë e stafit të FFK-së do të qëndrojë në DFB për trajnim në aspektin juridiko-administrativ, pasi këtë segment e vlerësoj si tejet të rëndësishëm për progresin tonë të mëtutjeshëm.
z. Winkler më përgëzoj për punën e deritanishme dhe shprehu kënaqësinë për hapat e rëndësishëm që FFK-ja i ka bërë viteve të fundit. Ai po ashtu më kërkoj që të vazhdoj me reformat në FFK, në mënyrë që të jemi në hap me vendet e tjera evropiane, teksa shprehu gatishmërinë që së bashku me z. Milkoreit ta vizitojnë Kosovën së shpejti.
A.A























