Romani “Bartësi i shpirtrave të përzënë” nga Adil Olluri, botoi Onufri

Romani “Bartësi i shpirtrave të përzënë” nga Adil Olluri, botoi Onufri

Ballsor Hoxha

Romani “Bartësi i shpirtrave të përzënë” nga Adil Olluri, botoi Onufri

Romani “Bartësi i shpirtrave të përzënë” nga AdilOlluritregohet si një episod, i prerë dhe i treguar si një vegim pa paralajmërimin e tij dhe pa kalukulimin e një përfundimi të tij. Episod i cili nisë nga detaje si “cigarja e parafundit”;“perdet e kuzhinës” prapa të cilave personazhi apo thënë më saktë “aty ku ti fshiheshe”; “koferi i martesës” si gjë krejt e parëndësishme por e gjendur në shtëpi; etj, dhe po prej këtyre detajeve kalon nëpër gjigantësinë gjithëpërfshirëse të luftës dhe gjithëpërfshirjes së deportimit të shqiptarëve. Deri aty ku përfundon njeriu - në tokën e askujt me çdo gjë të humbur përjetë. Është episod/vegim i errtë, i cili rrëfen të gjitha këto (duke përfshirë gjigantësinë e luftës dhe deportimit) me një minimalizëm mjeshtëror, gjithnjë duke ruajtur intimitetin e narratorit (personazhi Bardhyl) me veten e tij, në të biseduarit me veten, apo thënë më saktë në të shënjuarit të luftës ndaj vetes dhe me veten.

Ti – në “Bartësi i shpirtrave të përzënë” është ndërgjegjja, kujtimi dhe incizimi i të tërës; çarje ndërmjet njeriut me veten e tij, me anën e brendshme të tij, duke krijuar një shprehje mbi luftën dhe njeriun brenda saj si dy botë, dy jetë, dy njerëz të ndryshëm në fund, të mbetur përtej prej njëri tjetrit. Njeriu me të brendshmen e tij frikacake ndaj dhunës gjatë luftës, dhe po i njëjti, pas luftës, me pamjen e parë: vëllain e vet duke e “tërhequr zvarrë” personazhin serb Milutin, plak që e kishte shpëtuar gjatë po të njëjtës luftë.

Në të vërtetë ky njeri i brendshëm gjatë luftës, ky – Ti - në tërë përkuljen njerëzore të tij para dhunës së luftës, më nuk është, më nuk mund të jetë, apo më nuk mund të bashkohet me – Unë - të të pasluftës, duke pasur para vete ngjarje si ajo e vëllait të tij (të lartcekur), me të cilin fillon romani “Bartësi i shpirtrave të përzënë”.

Ti – si teknikë letrare (për të cilën do të flitet mëposhtë në punim), dhe kjo – Unë - e mbetur si shenjë e dorëzimit para dhunës së njeriut ndaj njeriut, e që mungon në këtë roman, janë humnera e thelluar në pamundësi bashkimi, apo thënë më saktë: në pritje për një njeri të ri, njeri që mund të bartë, edhe veten e përkuljes gjatë luftës (siç tha, ndaj dhunës së luftës) edhe këtë botë të re të mbytur në ciklin vicioz të dhunës; në pritje për një “letër të bardhë e cila nuk do të nxihet nga e liga e njeriut”, sikur në fundin e këtij romani, që përfundon me refuzimin e narratorit, si shkrimtar, të shkruaj të ligën/të zezën e botës mbi letrën e bardhë.

Është episod – vegim, i cili i prerë, me një kah, prej cigares së parafundit prapa perdeve të kuzhinës, fshehur prej dhunës, në pandalshmërinë e tij ‘rrokë’ si flakë tragjedinë e njeriut nëpër shtresat e të ligës, tutje në tren, në braktisje të tërë vendit dhe të lagjes gjithashtu, tutje nëpër makthe të të qenit në pritje për t’u vrarë rastësisht – si shqiptar, tutje jashtë vendlindjes tënde, e deri në “përzënie” në tokën e askujt. Deri në tmerrin e të “gjeturit të një pasaporte me të njëjtën datëlindje si të narratorit”, gjë që i ndodh personazhit kryesor në tokën e askujt pasi që është depërtuar jashtë vendlindjes, si simbolikë e mos-përkatësisë, e braktisjes së jetës, dhe të që qenit të hedhur (Heidegger). Banimi, jo ai “trupor”, por ai shpirtëror duke u rrënuar dhe duke mbetur një vegim, nga i cili nuk ikë më kurrë, një vegim i cili kurrë nuk të lë të takosh as të bashkohesh me veten.Në të vërtetë është një udhëtim i cili i kandodhur mbi një milion shqiptarëve kosovar gjatë luftës së viteve nëntëdhjetë, dhe metaforë e udhëtimit të njeriut drejt vetë – daljes – së tij prej shpirtit të tij, në një askundësi. Në një banim në – Ti -, por pa një – Unë -.

Ajo që e shquan romanin “Bartësi i shpirtrave të përzënë” nga Olluri, është ndërthurja mjeshtërore e tri determinantave të këtij romani: 1.metaforizimit të udhëtimit të deportimit të shqiptarëve si një vegim me fund rrënimin e njerëzores; 2. sinqeriteti dhe morali tejet i durimshëm dhe i kujdesshëm në përjetimin e njeriut gjatë luftës; dhe 3. teknika e jashtëzakonshme e të brendshmes së njeriut i cili i rikthehet vetes me një – Ti – të veçuar nga vetja vetes, për të gjetur njeriun brenda vetes, ashtu siç është, ashtu siç ishte, i frikësuar dhe i përkulur, deri në “cigaren e fundit” si dilemë Hamletiane, si dilemë përballë zbrazëtisë së Reales së qytetit, njerëzores dhe fatit, pandjeshmërisë së tyre.

1. Metaforizimi i udhëtimit të ndodhur në të vërtetë të të shumtës së shqiptarëve në Kosovë, gjatë luftës së viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, është bërë në imtësi dhe detaje, minimalizëmÇehovian dhe realizëm të Tolstoit dhe të realizmit në përgjithësi, të përkujtuarit vetes, në – Ti -, tërë krisjet e frikës nën presionin e dhunës së luftës, pa mundësi dialogimi, dhe pa mundësi përgjigjeje. Në të vërtetë ky metaforizim është vetë mungesa e përgjigjes ndaj – Unë – që i flet personazhit kryesor – vetes në Ti, gjë që bën këtë udhëtim me tërë rrëfimin për krisjet nga frika, si udhëtim të pakthim, si udhëtim që duke e mimetizuar të vërtetën, e lë njeriun në fundin dhe përfundimin e luftës, si ndërtim metaforik i udhëtimit të njeriut deri në fundin e tij. Në të vërtetë metafora e këtij udhëtimi është nisja prej shtëpisë, deri në braktisje të banimit të tij, jo vetëm atij fizik, por edhe të brendshëm, në pamundësi kthimi të ndonjëhershëm, dhe në pamundësi të bashkimit me veten.

2. Sinqeriteti dhe morali tejet i durimshëm dhe i kujdesshëm narrativ, në përshkrimin e përjetimit të njeriut gjatë luftës, është po ashtu i jashtëzakonshëm, duke qenë se shemb glorifikimin e përjetimit të luftës dhe të ngadhënjimit mbi tragjedinë, dhe po ashtu intimizon njeriun me veten e tij deri në “dilemë për fikjen apo ndezjen e dritës në banjo për shkak të frikës”.

Kjo anë e romanit “Bartësi i shpirtrave të përzënë” është dominuese në roman dhe tenton të krijoj të vërtetën dhe të dokumentojë të llahtarshmen e luftës duke e lënë njeriun me veten e tij, në tërë pakufishmërinë e të ligës dhe të pandjeshmes prapa “perdeve të kuzhinës” së tij.

Në këtë anë të romanit, megjithëse mungon një përmbajtje më e pasur dhe më e thellë (gjë që mund të jetë teknika e rrëfimit të Ollurit), dëshmohet për atë që ka mbetur “prapa perdeve”; prapa makthit të ëndrrës në trenin deportues; përballë pasaportës së gjetur kur çdo gjë është humbur dhe ke braktisur vendlindjen tënde; prapa letrës së nxirë nga dëshmia e luftës, në një moral dhe durim të psikologjisë së personazhit i cili në qëmtimet e tij me veten e sheh qytetin si qenie që “ia puthë këmbët derisa ecë nëpër të”, qyteti si qenie që shtjellon dhe shtjellohet bashkë me njeriun në një shpirt të pandashëm dhe të ‘përhershëm’.

3. Teknika e jashtëzakonshme e Ollurit e të brendshmes së njeriut i cili i rikthehet vetes me një – Ti – të veçuar nga vetja vetes, për të gjetur njeriun brenda vetes, ashtu siç është, ashtu siç ishte, i frikësuar dhe i përkulur, deri në cigaren e fundit si dilemë Hamletiane përballë zbrazëtisë së Reales së qytetit, njerëzores dhe fatit, pandjeshmërisë së tyre.

Të rrëfyerit në vetën e dytë është formë e depersonalizimit, shpërfytyrimit të njeriut dhe të dezintegrimit të njeriut në pamundësi përjetimi të vetes në plotësi, për shkak të pamundësisë së bartjes, qoftë të dhembjes, të ndërgjegjes, fajit po edhe të realitetit. Depersonalizimi është gjithnjë ankth, dhe gjendje ankthi dhe po ashtu edhe çarje nga ankthi. Në këtë njeriu, ose ka frikë t’i drejtohet vetes në – Unë – e qoftë në plotësi, ose nuk arrin të perceptojë veten deri në shpirtin e tij.

Edhe këtu Olluri krijon metaforën, jo vetëm teknikën e njohur të vetes së dytë duke krijuar intimitetin dhe psikologjinë e thellë të personazhit duke iu drejtuar vetes, por edhe në çarjen enjeriut nga vetja në pamundësi të bartjes së realitetit. Apo krijon metaforëne dilemës, nëse këto janë dy botë, nëse këto janë dy jetë (siç u cek më lartë), apo nëse këto janë dy realitete të cilat kurrë dhe në asnjë mundësi nuk mund të bashkohen në një realitet. Apo, edhe më tutje, njeriu ndoshta në fund të fundit, nuk ka vullnetin dhe moralin (shih nën 2.) për të bashkuar këto dyja duke pas qenë dëshmitar i një lufte. Dhe në fund, ky depersonalizim është pasoja e shkëputjes dhe ‘tradhtisë’ së bërë vetë shpirtit – qytetit, dhe me këtë pamundësi e rikrijimit të një jete siç është njohur, siç ka qenë, apo vetëm – siç - pa një prapa saj, pa një kthim, pa një bashkim me veten.

Vegimi i errtë i cili shpaloset kujdesshëm dhe me shumë mjeshtëri nga AdilOlluri në romanin “Bartësi i shpirtrave të përzënë” është një prerje në mes, dhe aq më shumë një ndërhyrje e të vërtetës së njeriut, në tërë frikën dhe përkuljen e tij (jo si devijim moral), për të përkujtuar dhe për të mbajtur në mend veten, ashtu si ishte, ashtu si është dhe ashtu si do të jetë, përherë përballë dhunës së luftës, pandjeshmërisë së njeriut, dhe të ligës së njeriut ndaj njeriut.

Ky vegim i errtë si prerje, si ndërhyrje në ngadhënjimin e njeriut kosovar, sot, është një vektor i cili në pandalshmërinë e tij dërgoi njeriun drejt fundit, rrënimit të shpirtit dhe të pamundësisë së një rikthimi në një realitet të bartshëm.

Pse është bartës ky – Ti – do të pyeteshim në fund? Bartës i të përzënëve. Bartës i shpirtrave. Në këtë duhet kujtuar se ky është kthim dhe rikthim në përjetimin e luftës ashtu siç ishte, pa imagjinatën e bujshme të të qenit nën ankth, si atij të lirisë dhe po ashtu edhe të atij të luftës. Rikthimi i njeriut në – Ti – të tij të mbetur matanë është kërkim për të gjetur shpirtin e mbetur në përjetimet e rënda të luftës e që është edhe arsyeja e kthimit të egër dhe të mbetjes nën ciklin vicioz të dhunës. Në të vërtetë, ky bartës, i krijuar në këtë roman, është bartës i cili na tregon se nuk mund të veçohemi nga vetja, dhe as nga tjetri. Por se e bartim njëri tjetrin në çdo gjë. Qoftë edhe në luftë, si vrasësit, si personazhi i Bardhylit, dhe po ashtu edhe si personazhi shpëtimtar serb i Millutin. Por gjithashtu edhe si personazhi i vaëlait të Bardhylit, Syla, i cili bartë zvarrë po të njëjtin Millutin në kohën e lirisë.