‘Dardanët’ sfidojnë Suedinë dhe Spanjën, ja çfarë thonë analistët
BKT
Sport

‘Dardanët’ sfidojnë Suedinë dhe Spanjën, ja çfarë thonë analistët

Kosova këtë muaj do zhvillojë dy ndeshje të rëndësishme kundër Suedisë dhe Spanjës, të vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës.

“Dardanët” fillimisht zhvillojnë ndeshje miqësore ndaj Lituanisë në “Fadil Vokrri”, ndeshje zhvillohet sonte (e mërkurë) dhe nis në ora 20:45.

Ish trajneri i disa skuadrave elitare, njëkohësisht trajneri më i trofeshëm në Kosovë, Afrim Tovërlani për lajmi.net, tha se barazimi me Suedinë dhe humbja me rezultat minimal ndaj Spanjës do jenë sukses për Kosovën.

“Realisht, mendoj që nëse kundër Suedisë arrijmë ta marrim një barazim dhe kundër Spanjës me humbje minimale për mua janë suksese, për ndryshe jemi në disbalanc sa i përket cilësisë dhe kualitetit me Suedinë dhe Spanjën, sidomos me Spanjën, të cilat janë shumë më të mira se na”.

I pyetur nëse Kosova mund ta bëjë befasinë në “Fadil Vokrri”, ‘Toki’ u shpreh se është vërtetë e vështirë.

“Kisha shpresu, kisha pas mjaftë dëshirë, mirëpo nuk është e pamundur, por do të jetë shumë e vështirë”, përfundoi ai.

I të njëjtit mendim, po ashtu është edhe trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina. Ai nënvizoi se Suedia dhe Spanja janë favorit të pamohueshëm.

“Kemi ndeshje sonte që është kontrulluese para dy ndeshjeve zyrtare ndaj Suedisë dhe Spanjës, të cilat do jenë realisht shumë të vështira duke marrë parasysh edhe faktin që kemi disa mungesa. Sipas mendimit tim, Suedia dhe Spanja janë favorit të pamohueshëm”.

“Nëse do arrinim barazim ndaj Suedisë do ishte vërtetë e mrekullueshme duke marrë parasysh se kanë skuadër më të mirë”, deklaroi Morina.

Ndeshje tejet të vështira, i cilëson edhe ish trajneri i Prishtinës, tani në krye te Malishevës, Arsim Thaqi. Ai për lajmi.net, tha se mungesa e Amir Rrahmani është mungesë vërtetë e madhe, kurse Spanja është superfuqi botërore.

“Normal që do jenë ndeshje të vështira duke marrë parasysh se kemi përballë ekipe mjaftë cilësore. Problemet të tjera, siç është mungesa e Amir Rrahmanit, një prej qendërmbrojtësve më të mirë të Kombëtares sonë, mungesa e prezencës së lojtarëve brenda lojës dhe normal duke e llogaritë sepse Spanja është superfuqi botërore, pra do jenë do ndeshje shumë të vështira”.

Tutje, Thaçi u shpreh se FFK-ja duhet të mendojë më shumë për një frymë tjetër dhe se këto lajmet e fundit brenda Federatës do ndikojnë negativisht te “Dardanët”.

“Kishte me qenë shumë mirë për me ndodh befasia, është problem sepse ajo furia që ka qenë në fillim e përfaqësuesve tonë vitin e kaluar dhe këtë vit ka filluar të zbehët, por FFK është dashur të mendojë më shumë për një frymë tjetër, një mobilizim më i madh me vetë faktin se po dalin shumë skandale brenda FFK-së, të cilat janë duke e penguar lojtarët në përfaqësuese, qoftë edhe rezultatet. Shpresoj që këta lojtarë të mos e ndien presionin e jashtme dhe të japin më të mirën dhe rezultatet e përfaqësueses tonë të na bëjnë krenar qysh na kanë bërë më herët”, u shpreh Thaçi.

Ndërkohë, kujtojmë se pos Amir Rrahmanit që është rikthyer te Napoli ngase nuk arriti të shërohet, mungon edhe Aro Muric, që u përjashtua dje për arsye disiplinore.