Në Zvicër pretendojnë se FIFA nuk e lejon Bajramin të luajë për Shqipërinë
Duhej të ishte ardhmja e mesfushës kuqezi, por Nedim Bajrami rrezikon të mos veshë asnjëherë fanellën e përfaqësueses shqiptare përveç asaj stërvitore që ka mbajtur në grumbullimin e fundit të kombëtares. Mesfushori i Empolit, pretendohet se nuk lejohet nga FIFA që të luajë për Shqipërinë me Kombëtaren A.
Bajrami ka luajtur rreth 40 ndeshje me përfaqësueset e moshave të Zvicrës, deri te ajo U21 duke qenë një ndër elementët kryesorë të rrugëtimit të saj drejt Europianit. Por pikërisht gjatë këtij rrugëtimi, ai ka luajtur 4 ndeshje pasi ka kaluar moshën 21-vjeçare dhe e përditshmja zviceranë “Blick” shpjegon se një nga nenet e FIFA-s nuk lejon që një lojtar që ka luajtur ndeshje zyrtare mbi moshën 21 vjeç, të ndërrojë ekip, transmeton Vip Sport.
Tashmë pritet një përgjigje për këtë situatë nga FSHF dhe Bajrami, por për momentin duket se neni në fjalë pengon futbollistin të veshë fanellën kuqezi dhe do të duhet një betejë e mirëfilltë ligjore me FIFA-n për të ndryshuar përfaqësuesen. Ndërkohë, sipas të njëjti burim, në Federatën Zviceranë nuk kanë hequr dorë nga Bajrami edhe pse pak kohë më parë deklaruan se e kishin lënë të largohej meqë ai nuk e identifikonte veten me Zvicrën.























