Reali bën detyrën në Madrid, Benzema i pandalshëm
Real Madrid fitoi 2-0 kundër Eibar. Suksesi i katërt radhazi në të gjitha kompeticionet për skuadrën e Zidane, që i afrohet tre pikë larg Atletico Madrid kryesuese, që luan nesër në mbrëmje përballë Sevilla në transfertë.
Triumf i rëndësishëm për objektivin titull, por edhe për moralin e skuadrës përpara duelit të parë çerekfinal në Champions League kundër Liverpool (e martë, 21:00). Kampionët në fuqi realizuan nga një gol për pjesë.
Marko Asensio zhbllokoi ndeshjen në minutën e 41-të pas një inkursioni të bukur. Katër minuta më parë, 25-vjeçari realizoi një gol të bukur me finte, por ishte në pozicion të parregullt. Fitorja u vendos nga i zakonshmi Karim Benzema.
Sulmuesi francez shfrytëzoi një kros të Vinicius Junior nga krahu i majtë dhe finalizoi me kokë, duke gjetur golin e 18-të sezonal në La Liga.
Ndeshja e shtatë radhazi që goleadori i Realit gjen rrugën e rrjetës. Gola nuk pati më, Reali menaxhoi mirë minutat e mbetura dhe tani do mendojë për duelin e zjarrtë shtëpiak me Liverpool.























