Conte: Krenar për këtë Inter, nuk po u japim shpresë ndjekësve
BKT
Sport

Conte: Krenar për këtë Inter, nuk po u japim shpresë ndjekësve

Një perlë e Christian Eriksenit në pjesë ne dytë i siguroi një pikë Interit në përballjen me Napolin.

Një perlë e Christian Eriksenit në pjesë ne dytë i siguroi një pikë Interit në përballjen me Napolin. Milani arrin të rikuperojë dy pikë ndaj zikaltërve, por diferenca mbetet e thellë (9 pikë). Antonio Conte, në intervistën e dhënë pas ndeshjes, flet me superlativa për ekipin e tij, pavarësisht se nuk mori maksimumin e pikëve.

“Jam i lumtur dhe krenar për këtë grup lojtarësh. Jemi rritur nga shumë pikëpamje. Do ta humbnim ndeshjen në periudha të tjera, do të kishim vuajtur psikologjikisht. Pashë një ekip, që e di se çfarë dëshiron dhe nuk e humb kurrë mënyrën e duhur të lojës, edhe nëse ndodh diçka e pafat, si goli që pësuam”.

Zikaltrit, sipas Contes janë përmirësuar ndjeshëm sidomos në aspektin psikologjik. Tani ata e dinë fare qartë se çfarë kërkon trajneri prej tyre.

“Ata ta e kuptuan rëndësinë e momentit dhe nuk u dhanë shumë shpresë atyre që na ndjekin. E kishim parashikuar këtë barazim, kështu që jemi të lumtur. Napoli është një ekip i nivelit absolut, për këtë arsye barazimi merr edhe më shumë rëndësi. Më bëri të lumtur, sepse këto janë ndeshje që mund t’i humbësh. Ekipi reagoi, është i vetëdijshëm për potencialin e vet. Le të mos harrojmë se ishim përballë një Napoli të plotë, që për mua është shumë i fortë, si me formacionin startues, ashtu edhe me grupin në total”.

Fjalët e fundit Conte i ka për Christian Eriksenin, që nga një lojtar jashtë planeve të tij, po rezulton vendimtar në momente të veçanta.

“Iu dha mundësia të punonte më shumë kohë, kjo ishte thelbësore. Pastaj, ishte e rëndësishme që ai të kuptonte rëndësinë e dy fazave të lojës. Kjo gjë zgjati pak, edhe sepse, së pari, e bëmë të luante mesfushor sulmues, pastaj në role të tjera. Sidoqoftë, Christian mund të bëjë shumë, shumë më tepër, jam i bindur. Ai ka cilësi të rëndësishme dhe shkalla e agresivitetit është gjithashtu në rritje”.