Caktohet vendi ku do të zhvillohet meçi Joshua-Fury
BKT
Sport

Caktohet vendi ku do të zhvillohet meçi Joshua-Fury

Meçi i shumëpritur për kampionin e padiskutueshëm të botës mes Anthony Joshua dhe Tyson Fury do të zhvillohet në Arabinë Saudite, njofton Bob Arum, promotori i këtij të fundit.

Bisedimet për luftën për kampionin e padiskutueshëm të botës janë duke u zhvilluar që një vit dhe thuhej se caktimi i vendit ku do të ndesheshin ata ishte pengesa e fundit.

Por javën e kaluar, dy boksierët britanikë ranë në ujdi për vendtakimin e tyre për titullin e kampionit të padiskutueshëm të botës në kategorinë e rëndë.

Në mesin e vendeve të propozuara ishin Katari, Uzbekistani, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe.

Arum, promotori i Fury, konfirmoi të martën mbrëma se lufta do të zhvillohet në Arabinë Saudite, shtetin ku u zhvillua edhe rimeçi mes Joshuas dhe Andy Ruiz Jr në vitin 2019.

Arum ka thënë se qyteti Jeddah pritet të jetë vendi ku do të organizohet “Beteja e Britanisë”, në njërën prej këtyre tri datave, 24 korrik, 31 korrik, ose 7 gusht.

“Ne i kemi tanimë kontratat për vendin e meçit. Kemi bërë hap të madh. Tani vetëm po i rregullojmë dokumentet me sauditët”, tha Arum për Boxing Scene, transmeton Express.

Fury rrezikon ta humbasë titullin në WBC, ndërsa Joshua rrezikon t’i humbasë titujt në IBF, WBO dhe WBA në luftën e parë për të gjithë katër titujt e mëdhenj të botës në kategorinë e rëndë.

Kampioni i fundit i padiskutueshëm i botës ishte Lennox Lewis nga Britania e Madhe nga viti 1999 deri më 2000.