Ancelotti për Superligën: “Kujtoja se ishte shaka”

Ancelotti për Superligën: “Kujtoja se ishte shaka”

Carlo Ancelotti u është shtuar zërave të atyre që e kanë kritikuar krijimin e Superligës në ditët e kaluara, një projekt që përfundoi me turp pa u nisur mirë pasi skuadrat u tërhoqën pas protestave të tifozëve dhe kërcënimeve për përjashtim.

Ai e ka cilësuar të papranueshme idenë e një turneu të tillë selektiv, por njëkohësisht edhe se në fillim e kishte menduar se gjithçka ishte një shaka.

“Unë isha i bindur që Superliga nuk do të zhvillohej, ata 12 klube janë gabim. Ata nuk morën në konsideratë lojtarët, trajnerët, apo mbështetësit e tyre. Ata dëshironin një kompeticion pa merita sportive. Kjo është e papranueshme. Çfarë mendova kur mësova për lajmin të dielën? Mendoja se ishte një shaka”, tha trajneri i cili ka fituar Ligën e Kampioneve me Milanin dhe Real Madrid, ndërsa ka drejtuar edhe klube të tjera me emër si Juventusi, PSG e Chelsea para se të ulej në pankinën e Evertonit, transmeton "Vip Sport".

“Nuk jam perzoni i duhur për të gjykuar nëse duhen dënuar. Të gjithë bëjnë gabime, por nuk di të them nëse duhen dënuar apo jo”, theksoi më tej ai, duke preferuar që të rrinte neutral në temën e ndëshkimit të tyre, që po qarkullon gjerësisht në opinionin sportiv në Angli.