Pesë ndeshje të Superligës sot, Prishtina mund të vendosë për titull

Pesë ndeshje të Superligës sot, Prishtina mund të vendosë për titull

Superliga e Kosovës sjell duele interesante në kuadër të xhiros së 35-të.

Dueli kryesor dhe që do të mund të përcaktojë titullin kampion është ai ndërmjet SC Gjilanit dhe Prishtinës, shkruan lajmi.net.

Djemtë e Zekrija Ramadanit kanë përballë skuadrën e Ismet Munishit, e cila në ndeshjet e fundit ka treguar formë të lartë duke mposhtur këdo që i del përpara.

Ndërkohë, në rast se Prishtina fiton ose barazon, mund ta sigurojë titullin kampion pas plot tetë vitesh.

Dueli tjetër është ndërmjet Dritës dhe Drenicës. Gjilanasit dëshirojnë që të mbajnë hapin në garën për titull, ndërsa Drenica është në luftë për mbijetesë dhe po kërkon vetëm tri pikë.

Drenica qëndron në vendin e gjashtë me katër pikë më shumë se Feronikeli.

Ndeshja ndërmjet Ballkanit dhe Trepçës do të jetë më e rëndësishme për mitrovicasit, pasi therandasit kanë humbur luftën për titull. Trepça është vetëm një pikë larg zonës së rrezikut dhe kërkon vetëm fitore.

Dueli i katërt do të jetë ndërmjet, Feronikelit dhe Besës. Besa ka humbur betejën për qëndrim në Superligë, por Feronikeli ende i mban shpresat dhe këtu ka rastin për të marrë pikët e plota duke i bërë presion Trepçës.

Dueli i fundit do të jetë ndërmjet Arbërisë dhe Llapit, Llapi ka siguruar mbijetesën dhe daljen në Evropë. Por Arbëria ka 37 pikë dhe qëndron në vendin e parafundit dhe për skuadrën e Arbnor Morinës, kjo ndeshje është jetë a vdekje.