Alexander-Arnold rrezikon të mbetet jashtë Evropianit

Alexander-Arnold rrezikon të mbetet jashtë Evropianit

Mbrojtësi i djathtë i Liverpool, Alexander-Arnold pritet të mbetet jashtë listës së futbollistëve që trajneri i Anglisë Gary Southgate do të marrë me vete në Kampionatin Europian 2020, pavarësisht formës mjaft të mirë që po kalon.

Tekniku anglez ka pasur shpesh rezerva për mënyrën e lojës së Alexander-Arnold dhe në eliminatoret e marsit e la jashtë atë, duke grumbulluar Kyle Walker, Reece James dhe Kieran Trippier në atë rol.

Mediat në Angli raportojnë se edhe në listën prej 26 futbollistësh që Southgate pritet ta publikojë këto ditë, Alexander-Arnold nuk do të jetë, pavarësisht se javët e fundit po tregon një formë të jashtëzakonshme me një gol dhe 4 asiste në 7 ndeshje.

Shkak duket mungesa e ekuilibrit mes fazës mbrojtëse dhe asaj sulmuese, pasi në idenë e Southgate për formacionin e “tre luanëve”, i duhet një mbrojtës më i kujdesshëm sesa futbollisti i Liverpoolit, që avancon shumë dhe harron detyrat defensive.

Kur trajneri i “tre luanëve” vendosi të mos e grumbullojë Alexander-Arnold në muajin mars, në debat u përfshi edhe Jurgen Klopp, i cili tha se nuk e kuptonte zgjedhjen e Southgate për të lënë jashtë mbrojtësin.

“Unë jam vetë trajner dhe shpesh bëjmë zgjedhje që të tjerët nuk i kuptojnë, por veprimi i Gary-t më duket i çuditshëm. Alexander-Arnold ëstë larg formës së sezonit të kaluar, por mbetet sërish nga më të mirët në rolin e tij. Është njësoj si të krahasosh Messin e këtij sezoni me atë të para disa viteve, ku argjentinasi nuk ka të njëjtin rendiment, por sërish mbetet më i miri në botë”, pati deklaruar Klopp atëherë.

Anglia e nis Kampionatin Europian më 13 qershor me përballjen ndaj Kroacisë, ndërsa Gary Southgate duhet të dorëzojë listën zyrtare me 26 futbollistët e grumbulluar brenda datës 1 qershor, që është edhe afati i fundit i vendosur nga UEFA.

Sipas mediave britanike, surpriza e listës së përfaqësueses së “tre luanëve” pritet të jetë grumbullimi i 17-vjeçarit Jude Bellingham, i cili po bën një sezon mjaft të mirë me Borussian e Dortmundit.