Ademi uron KF Dukagjini për rikthim në Superligë
BKT
Sport

Ademi uron KF Dukagjini për rikthim në Superligë

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi nëpërmjet një mesazhi ka uruar KF Dukagjini, i cili pas një viti është rikthyer sërish në elitën e futbollit kosovar, ka njoftuar FFK.

Dukagjini në ndeshjen kryesore të barazhit e mundi Trepçën’89, pas penalltive.

Mesazhi i plotë i Ademit:

Të nderuar drejtues, trajnerë, futbollistë, staf teknik dhe tifozë të KF Dukagjini, më lejoni që në emrin tim dhe të KE të FFK-së t’ju uroj për rikthimin e klubit tuaj në Superligë.

Suksesi juaj ka ardhur si fryt i punës së palodhshme dhe besimit që kishit në potencialin dhe vlerat tuaja.

Gjatë tërë edicionit garues e zhvilluat një garë të fortë, duke luftuar denjësisht deri në fund në të dyja frontet. Mbase në disa ndeshje edhe u mungoi fati, por në fund arritët që nëpërmjet dy ndeshjeve të barazhit ta siguroni objektivin tuaj – rikthimin në elitë.
Tani, sigurisht se ju pret një punë dhe angazhim më i madh, që ta rrisni nivelin brenda skuadrës tuaj dhe kësisoj t’i kontribuoni ngritjes së mëtejshme të futbollit kosovar.
Duke ju përgëzuar për këtë sukses uroj të organizoheni sa më mirë për edicionin e ardhshëm.
Ndërkaq, klubet që këtë edicion nuk i arritën objektivat e tyre, i inkurajoj që të mos zhgënjehen, por të vazhdojnë të punojnë me përkushtim në kërkim të realizimit të synimeve në edicionin e ri.

Ju priftë e mbara!

Me respekt,
Agim Ademi – President i FFK-së