Esenca e esesë së Thoreau

Esenca e esesë së Thoreau

“Mosbindja Civile” është një ese i shkurtër nga një prej shkrimtarëve më të dashur amerikan, Henry David Thoreau.

Baza e këtij eseu është ligjërata e tij në Liceun e Konkordit me titullin ‘Të Drejtat dhe Detyrat e Individit në raport me Qeverinë’. Thoreau ishte në kundërthënie të drejtpërdrejtë me mos-rezistencës e teologut anglez William Paley, vepra e të cilit titullohej ‘Bindja Civile’.

Pjesërisht e frymëzuar nga praktikimi i skllavërisë, dhe luftërat amerikano-meksikane, eseu i Thoreau-s ofroi një peisazh kulturor dhe politik modern në Amerikën ende në fillimet e zhvillimit të saj. Skllavëria u bë një gjë që e praktikonin njerëzit me vetëdije të paformuar, dhe pa depozitin e humanitetit në ndërgjegjen e tyre njerëzore, sepse u mungonte substanca morale për të kuptuar keqbërjen e tyre.

Fjala ‘civile’ është e hapur për më shumë se një interpretim, dhe duhet të kuptohet në kontekstin kohor kur këto debate zhvilloheshin në Amerikën e kohës së Thoreau-s. Civile mund të jetë “çdo gjë në lidhje me qytetarët dhe ndërlidhjet e tyre me njëri tjetrin ose me shtetin”, në një kuptim tjetër “dikush që i pranon format konvencionale shoqërore; konformist”.

Qëllimi i Thoreaus nuk ishte të merrej me politika partiake, por një mënyrë e përgjithshme për atë se si duhet të shihen qeveritë. Dhe eseu i tij ia doli të depërtonte edhe në politikanët e kohës, dhe shkaktoi shqetësim në anën e tyre, me logjikën e tij të kulluar, se si duhet të vepronin politikisht në mënyrë objektive. “Mosbindja Civile” e Thoreau-s, në këtë kuptim ishte katalizator i llojit të vetë i farkëtimit të vetëdijes dhe ndërgjegjes politike të kohës.

Nuk është se Thoreau e trajtonte skllavërinë në vetvete si fenomen, por atë se çka përfaqëson një praktikë e tillë. Ai deklaronte se njerëzit e  ndritur, të arsimuar, të së ardhmes, e dinë se skllavëria është e pamoralshme, dhe ishte si njëfarë direktive indirekte drejtuar qytetarit që e kupton qenien njerëzore në raport me politikën.

Thoreau është në një anë trashëgimtar i filozofisë së Jean Jacques Rousseau-s, në atë që njeriu në esencën e tij është i mirë, dhe se vetëm kur jeton në shoqëri pëson korrupsion moral, të cilën Rousseau e quante ‘amour-propre’, një vetë-dashuri e pashëndetshme, egoiste, artificiale, e bazuar në krahasimin e vetes me të tjerët.

Edhe Thoreau mendonte që njerëzimi nëse kthehet në autenticitetin e ndjenjave intime personale, ata janë të mirë, dhe se shoqëria, kultura, religjioni vetëm sa e deformojnë pastërtinë e mirësisë morale të tyre. Nën influencën e tyre ata bien në kurthim e regjimeve të ndryshme, dhe se rreziku është kur njerëzit nuk mendojnë përtej strukturave in-formuese të tyre, dhe bëhen ndjekës të verbër ndaj asaj që u servohet nga autoritete të jashtme që kanë për synim të sundojnë.

“Mosbindja Civile” është një vepër që i qëndron historisë për shkak të universalitetit të mesazhit të saj, dhe nuk kufizohet vetëm për kohët për të cilat është shkruar. Shpesh këtij eseu i referohet kur ka trazira politike dhe civile. Mosbindja civile dëshiron që gjërat të evolojnë, të përmirësohen, mos të krijohet rehati në ‘normalitete’ çnjerëzore, përkundër Bindjes së verbër Civile të kohës së tij.