Koronavirusi prek edhe Kulusevskin, Andersson nuk e zëvendëson
Në prag të nisjes së Kampionatit Europian, koronavirusi godet sërish futbollistët e grumbulluar për këtë kompeticion, teksa ditën e sotme është konfirmuar pozitiv mesfushori suedez Dejan Kulusevski.
Lajmin e ka dhënë vetë Federata Suedeze e Futbollit nëpërmjet një komunikate ku shpjegon se vetë futbollisti ka njoftuar mjekun e ekipit për simptoma ftohjeje, por pasi iu nënshtrua tamponit, rezultoi pozitiv dhe është vënë në izolim, transmeton Super Sport.
Edhe trajneri i Suedisë, Ianne Andersson pranoi se Kulusevski është prekur nga koronavirusi, teksa shtoi se futbollisti nuk do të zëvendësohet, pasi do të shpresohet në një rikuperim të shpejtë të tij.
“Nuk do të thërrasim asnjë rezervë, pasi shpresojmë që Dejan t’i bashkohet skuadrës pas ndeshjes me Spanjën, e planifikuar për më 14 qershor. Aktualisht futbollisti është në izolim në Stokholm, ndërsa pjesa tjetër e stafit dhe lojtarëve janë spostuar në Goteborg”, tha trajneri Andersson.
Kjo është një tjetër goditje për kombëtaren suedeze, që pak javë më parë mësoi se nuk do të mund të mbështetet as te sulmuesi Zlatan Ibrahimovic, i cili pësoi një dëmtim tre javë para fundit të sezonit në kampionatin italian.























