Shqipëria U21 pëson në testin ndaj Bullgarisë
BKT
Sport

Shqipëria U21 pëson në testin ndaj Bullgarisë

Përfaqësuesja Shpresa ka lënë shumë shpejt pas krahëve duelin e fituar me lehtësi ndaj Andorrës, pasi sot përballë një kundërshtari më cilësor si Bullgaria, ka dështuar në një miqësore të luajtur në Sofje.

Bushi kishte lënë të lirë disa prej titullarëve, por në radhët e ekipit kishte emra si Ismajlgeci, Marku, Bushaj, Mehmeti apo Vangjeli që pritet të jenë pjesë thelbësore e kësaj përfaqësueseje në eliminatoret e Europianit. Por prapavija e improvizuar me Laroshin në portë dhe treshen Kalaj-Smajlaj-Dragoshi, ka lënë shumë për të dëshiruar dhe që pas 12 minutave të parë, rezultati ishte 3-0 për vendasit pas përgjumjes  totale të prapavijës që gaboi thuajse gjithçka në startin e duelit, transmeton "VipSport".

Kjo e bëri të thjeshtë duelin për Bullgarinë që administroi lehtësisht lojën dhe nuk lejoi sulmin pa shumë ide të Shqipërisë t’i rrezikonte portën, me vetëm një gjuajtje të Bushajt në pjesën e parë që mund ët kujtohet si rast i rrezikshëm për kuqezinjtë. Në të dytën, ritmi ishte shumë më i ulët por vendasit gjetën mundësinë e shënuan edhe golin e katërt me penallti, duke vulosur një miqësore që me siguri i ka shërbyer shumë pak Bushit në planin e tij për përgatitjen e eliminatoreve të Europianit.