Një roman që vë në “lojë” misteret dhe ironitë e jetës

Një roman që vë në “lojë” misteret dhe ironitë e jetës

(Duke e lexuar romanin ALM të Ahmet Jasharit)

Romani ALM i Ahmet Jasharit është një nga të rrallët që shtjellon dramën morale dhe ekzistenciale të njeriut të sotëm; zhbirimet psikologjike dhe pasojat e një jete të mbyllur; përpjekjet e njerëzve të thjeshtë që luftojnë për t’u mbijetuar kohëve të këqija. ALM paraqet tipin e romanit psikologjik, apo më mirë të thuhet është një kronikë autentike rrëfimi, një formë personale përshkrimi e përsiatjeje, që lidhet me “shpikjen” e një makine që lexon mendimet e të tjerëve.

   Zbulimi i botëve, i paragjykimeve, i mistereve dhe i prapaskenave në mes të personazheve që kanë lidhje familjare, miqësore, e të tjera, në fakt është trilli i këtij romani që të mban frymën gjatë leximit. Autori ka arritur që përmes një nënteksti të fortë dhe me një sërë situatash simbolike të na ofrojë një prozë që depërton thellë në plagët shpirtërore të njerëzve të zakonshëm, përvojat e të cilëve, jo rrallë, ngjajnë me ato të tragjedive eskiliane.

   Përmes një empirizmi psikologjik ai na rrëfen përvojat e personazheve, duke shprehur papajtueshmëri me një rend të përmbysur vlerash: me moralin e dyfishtë, paragjykimin, tradhtinë, dhe, në fund, me vrasjen. Në tërësinë e tij ky roman padyshim se vë në thumb të kritikës të gjitha këto fenomene që e stërkeqin shëndetin e njeriut dhe rrjedhimisht edhe shëndetin e shoqërisë, apo atë që filozofi gjerman, Erich Fromm, e quante “sëmundje e kulturës”.

   Vetë titulli ALM duhet të kuptohet si figurë e cila e ka shpjeguesin e botës që ndërtohet në këtë roman: A=Aparati, L=Lexon, M=Mendimet. Pra, një mjet i shpikur nga një kureshtar i kësobotshëm, përmes të cilit zbulohen të fshehtat brenda mendimeve të të tjerëve. Rrëfenjat e personazheve të këtij libri lidhen me fenomenet universale të shoqërisë, por konotacionin dhe shtrirjen në kohë dhe hapësirë e kanë te jeta e një shoqërie të caktuar që gjallon (apo ka gjalluar) në kushtet e robërisë, ndjekjes, burgosjes, luftës etj.

   ALM ka një prirje për t’i parë gjërat më të padukshme dhe për të depërtuar në thelbin e intimes dhe kështu për të krijuar formatin kompozicional të një trilleri psikologjik ku bashkohen shumë rebuse dhe në fund na shpërfaqet një roman i strukturuar mjeshtërisht.

   Personazhet e këtij romani gëlojnë brenda një bote ku të gjithë janë dyshues dhe të dyshuar; përmes një monologu të brendshëm ata na zbulojnë vetëdijet e tyre të lënduara dhe të zhytura thellë në dilemat më të mëdha morale dhe ekzistenciale. Bota ku rropaten personazhet - e cila botë nganjëherë na duket shumë e largët, në fakt është pikërisht bota jonë, shoqëria jonë, njeriu ynë - ndoshta një arketip i atij njeriu që ka një vizion të kundërvëntë me botën që njohim.

   Ai që na prin në rrëfenjën e këtij romani (psikologu) mbase mund të kuptohet edhe si një kronist i cili, në mënyrë të pavetëdijshme e shkruan kronikën e urrejtjes, të dashurisë, të gënjeshtrës, të paragjykimit, të dilemave, të maktheve, të përbetimeve të fshehta etj.

   Ky roman, si rrallë ndonjë tjetër, përmes parabolash dhe kuptimesh të bartura thyen shumë klishe romanore që njohim, ndërsa rreket të na paraqes një atmosferë ndryshe të shoqërisë sonë, e cila nuk ka as kohë (kur ndodh) dhe as adresë (ku ndodh). Ai ka elemente të një “proze elegante”, nganjëherë merr edhe karakterin e një romani “puzzle” ku përmes kuptimeve të fshehura na shfaqet një lloj loje e çuditshme që brenda fsheh krejt ironinë e jetës.

   ALM është një roman, ndër të rrallët e prozës tonë, që merret me një psikanalizë kaq të thellë të personazheve. Si i tillë ky roman mbase edhe mund t’u shërbejë lexuesve si psikoterapi për shërimin e gulçeve të shpirtit; përmes mesazhit humanist ai është vërtetë inspirues për kapërcimin e rubikonit moral dhe ekzistencial.

Autor: ARBEN VESELAJ