Lama sjell librin e munguar për Qosjen si ideolog, filozof e politikan

Lama sjell librin e munguar për Qosjen si ideolog, filozof e politikan

Libri i gjeneral Kudusi Lamës, “Rexhep Qosja - filozof, ideolog dhe politikan i çështjes kombëtare”, i botuar para disa javësh nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, padyshim se do të duhej të paraqiste një ngjarje të shënjuar jo vetëm për shkencat albanologjike, por në përgjithësi për ndërgjegjen shkencore, arsimore, politike e kulturore në krejt hapësirën kombëtare shqiptare.

Janë shkruar shumë libra dhe janë bërë shumë studime për figurën poliedrike të Rexhep Qosjes, si romancier, historian i letërsisë, kritik letrar, dramaturg e eseist, por rrallë është trajtuar në ndonjë libër si intelektual i angazhuar, si ideolog, filozof dhe politikan i çështjes kombëtare shqiptare.

Gjeneral Kudusi Lama, si një prej autorëve me kontribute të pakontestueshme në fushën e mendimit shqiptar, në këtë studim ka marrë në shqyrtim krejt veprën letrare, shkencore dhe publicistike të Rexhep Qosjes dhe me një guxim shkencor shpalos profilin e munguar të Rexhep Qosjes si ideolog, filozof dhe politikan i çështjes kombëtare shqiptare.

Në analizën e gjatë shkencore Lama nxjerr si përfundim se Rexhep Qosja është arkitekti kryesor i filozofisë dhe i ideologjisë së qëndresës kombëtare shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX. Sipas tij, me idetë politike që i shpalosi në orët më bujshme dhe dramatike të zhvillimeve kombëtare, sikurse edhe me kundërshtitë të cilat jo rrallë padrejtësisht u keqkuptuan, Rexhep Qosja u bë busulla historike përmes së cilës mori drejtim fati politik dhe historik i popullit shqiptar.

Të vërtetat e guximshme që shpalos ky studim i Kudusi Lamës, jepen me përgjegjësi shkencore, etike dhe intelektuale; artikulohen me një gjuhë të thjeshtë dhe bindëse dhe realizohen bazuar në një hulumtim gjithëpërfshirës shkencor.

Gjenerali mirënjohur i luftës së Kosovës, Kudusi Lama, është autor i disa librave nga fusha e studimeve ushtarake dhe të sigurisë, por ai, gjithashtu, ka botuar edhe disa libra publicistikë dhe të mendimit politik. Karrierën profesionale e ka ndërtuar si oficer në Ushtrinë e Shqipërisë deri në gradën e gjeneralit.

 

 

 

Autor: ARBEN VESELAJ