​Kosova e rrezikuar nga shpërndarja e librave fetarë të pakontrolluar

​Kosova e rrezikuar nga shpërndarja e librave fetarë të pakontrolluar

Kosova po rrezikohet nga shpërndarja e librave fetarë me përmbajtje të dyshimta. Teologët i bëjnë thirrje bashkësive fetare që të kontrollojnë botimet, ndërsa ekspertët e sigurisë ngrenë alarmin për shkak të përmbajtjes së tyre që mund të nxisë urrejtje fetare dhe etnike duke kërkuar nga shteti që të reagojë sa është në kohë.

Teologu Xhabir Hamiti thotë se shteti nuk mund të bëjë drejtpërdrejt kontrollin e librave fetarë, por që një përgjegjësi e tillë i takon vet bashkësive fetare.

“Shteti nuk mund të bëjë drejtpërdrejtë kontrollin e botimit të librave fetarë sepse, ndoshta, njerëzit laikë në institucione edhe nuk mund të dallojnë mirë fetarizmin dhe jo-fetarizmin në përmbajtjen e tyre. Bashkësitë fetare duhet të jenë ato të cilat, në rastin kur hasin në literaturë të tillë, e cila nuk i përket shpirtërores, por indoktrinimit politik duke përdorur elemente fetare, që ta paraqesë si shqetësim tek komuniteti i vet në rend të parë, e pastaj edhe tek organet kompetente”, thotë ai për KosovaPress.

Ditë më parë, Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ngriti shqetësimin se në Kosovë janë duke u shpërndarë disa lloje të kopjeve të ndryshme të paautorizuara të Kuranit, i cili është libër i shenjtë i myslimanëve. Sic është raportuar, kjo po bëhet nga disa persona që i takojnë sektit Ahmedi.

Në lidhje me këtë dhe raste të tjera, KosovaPress ka kërkuar një qëndrim nga BIK, por përkundër pritjes disa javore nuk ka marrë përgjigje.

Më tej, teologu Xhabir Hamiti pohon se ka pasur raste të shpërndarjeve të shumë botimeve të dyshimta në Kosovë.

“Ka pasur fatkeqësisht, dhe ka ende literaturë me përmbajtje ksenofobike dhe apostozike e përzier me elemente fetare e cila qarkullon në mesin e qytetarëve. Indoktrinimi i shtrembur dhe devijant në emër të çfarëdo bindjeje fetare është i rrezikshëm, se pari për vet bartësit e tyre dhe pastaj edhe për shoqërinë në përgjithësi”, shton Hamiti.

Eksperti i sigurisë, Kadri Kastrati thotë për KosovaPress se që nga paslufta në vend janë shpërndarë shumë broshura dhe libra, të cilat janë përkthyer dhe janë shpërndarë në mënyrë të pakontrolluar.

Kadri Kastrati, ekspert i sigurisë

Kastrati: Botimet fetare të pakontrolluara janë të rrezikshme

 

“Këto janë jashtëzakonisht të rrezikshme për arsye se nxitin urrejtje ndërfetare dhe e rrezikojnë sigurinë kombëtare. Unë i kisha përmendur dy sekte që janë me ndikim të madh, janë ato që vijnë nga Arabia Saudite dhe që promovojnë një gjuhë të urrejtjes dhe një gjuhë që nuk është e mirë edhe nuk është e vendit për kulturën tonë këtu sepse e nxisin urrëjtjen ndërfetare dhe kjo në një mënyrë apo tjetër e rrezikon sigurinë kombëtare. Dhe është një sekt, apo një grup njerëzish, që vijnë nga këto shtete, mbi 400 vende në librat e tyre përmendet ‘Pendohu ose do të vritesh’, kjo është jashtëzakonsisht e rrezikshme dhe drejpërdrejt e bjen kulturën jotolerante, nxitëse, urrejtjes ndërfetare dhe këto nuk kontrollohen nga askush”, deklaron ai.

Sipas tij, është e domosdoshme që institucionet e Kosovës të kontrollojnë këto botime, me qëllim që të parandalohet ndikimi i tyre.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi përmend tri raste kur mund të bëhet kontrolli i botimeve të librave fetarë.

Nuredin Ibishi, ekspert i sigurisë

Ibishi: Rastet kur shteti mund të kontrollojë botimet


“Duke pasur parasysh që ne jemi një shtet laik edhe liritë fetare janë të garantuara edhe me kushtetutë, edhe me Ligjin për Liritë Fetare, me ligj sanksionohet kur ka të bëjë me parandalimin e nxitjes e dhunës që ka elemente të vërejtjes etnike, fetare, racore edhe kombëtare. Në vetëm ato raste mund të flitet për një parandalim edhe të lirisë së shprehjes por edhe të botimit dhe publikimit të librave”, tregon Ibishi për KosovaPress.

Më tej, Ibishi shton se ka shumë sekte të paraqitura në kuadër të Bashkësisë Islame, por edhe po ashtu fondacione të ndryshme të cilat kanë ngjallur urrejtje fetare dhe etnike. Të njëjtat kanë ndihmuar që shumë kosovarë t’i bashkohen vatrave të luftës në Siri e Irak.

Ndërkohë, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behgjet Shala theksoi se në rast të kontrollit atëherë ka censurë. Për më tepër, thekson se censurën e bëjnë vendet diktatoriale, që duan ta fshehin një të vërtetë.

Behgjet Shala, kryetar i KMDLNj-së

Shala: Çdo gjë që është ilegale është në kundërshtim me ligjin


“Librat që janë legalë, që janë në shitje dhe që BIK ka autorizim është krejt në rregull. Por, që ajo që shpërndahet ilegalisht, ajo duhet të kontrollohet. Sepse, përderisa nuk dëshiron t’iu nënshtrohesh opinionit, atëherë ajo shpërndahet ilegalisht. Një libër ilegal, në qoftë se BIK e bën shpërndarjen e librit, e merr përgjegjësinë. Ndërkaq, në qoftë se diçka shitet në mënyrë ilegale atëherë është një situatë tjetër. Çdo gjë që është ilegale është në kundërshtim me ligjin”, deklaroi Shala.

Por, deri më tani, shteti nuk ka pasur iniciativë për parandalimin e shpërndarjeve të botimeve me përmbajtje të dyshimtë.

Kadri Kastrati, ekspert i sigurisë

Kastrati: Këto libra shiten haptas në vende të caktuara

“Unë nuk po shoh iniciativë. Por, unë nga këtu i porosis sidomos Komisionin parlamentar për Legjislacion që merren me fushën e ligjeve, rregullave dhe të drejtave të njeriut që ta rrisin zërin e tyre në parlament. Të kërkojnë nga institucionet qeveritare, sidomos nga policia dhe intelegjenca, AKI që të merrën më shumë me këtë fushë. T’i adresojnë atje ku duhet ato raportimet e tyre apo zbulimet se cilat vende mund të hasen këto, sepse nuk është e vështirë të gjenden. Sepse këto haptas shiten dhe vende të caktuara”, përfundoi Kastrati për KosovaPress.

Kushtetuta e Kosovës parasheh të drejta dhe mbrojtje për të gjithë qytetarët, përfshirë mirëmbajtjen, zhvillimin dhe ruajtjen e fesë së tyre duke përdorur gjuhën e tyre. Po ashtu, thotë se bashkësitë fetare kanë të drejtë të themelojnë shkolla fetare dhe institucione bamirësie me mundësinë e financimit me ndihmë financiare të qeverisë “në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare.