Llapi me barazim ndaj Shkupit mbyll aventurën në Evropë
Llapi nuk ka mundur të marrë më shumë së një barazim 1-1 me Shkupin, në ndeshjen kthyese të UEFA Conference League, raporton RTKLive.com.
Llapjanët dhe shkupjanet u përballen sonte në ‘Fadil Vokrri’, në një ndeshje ku skuadra jonë, nuk ia doli të përmbys rezultatin e lojës së parë prej 0-2, dhe me rezultatin e përgjithshëm 1-3, Llapi mbyll aventurën në Evropë.
Skuadra e Tahir Batatinës ishte ekip dominues në pjesë e parë, duke rrezikuar disa herë portën mysafire, megjithatë, gola në këtë pjesëlojë nuk kishte.
Ndërkohë, në fraksionin e dytë, u shënuan dy gola. Fillimisht ishin skuadra mike e cila përmes Ali Ademit në minutën e 78’, kalojë në epërsi, derisa gjashtë minuta më vonë Drilon Fazliu barazoi shifrat në 1-1.
Llapjanët edhe pas barazimit, provuan që të gjejnë sërish rrugën e golit, por tentimet e tyre ishin të kota, edhe pse në finish të ndeshjes, llapjanëve iu mohua një penallti nga ana e gjyqtarit pas ndërhyrjes ndaj Shillovës.
Llapi përfundon aventurën në Evropë, derisa Shkupi kalon në rundin tjetër të UEFA Conferene League. /RTKLive/























