Dilemat dhe siguritë, Sarri kërkon një mesfushor e një sulmues krahu
“Rruga do të jetë e gjatë dhe e vështirë, të paktën në fillim”, është fjalia që Maurizio Sarri ua përsërit shpesh futbollistëve të Lazios, me të cilët po punon prej disa ditësh për të ndryshuar skemën dhe idetë në fushën e lojës.
Bardhekaltrit luanin prej disa sezonesh me rreshtimin 3-5-2, por me largimin e Inzaghit dhe emërimin e Sarrit, skuadra po punon për t’u përshtatur me skemën 4-3-3, që është edhe e preferuara e ish trajnerit të Napolit, Chelsea-t e Juves.
Aktualisht Lazio ka sjellë 4 emra të rinj gjatë kësaj periudhe merkatoje dhe nga ata vetëm Hysaj e Felipe Anderson duken titullarë të sigurt, përkatësisht në krahun e majtë të mbrojtjes dhe në krahun e majtë të sulmit.
Sa i përket pjesës tjetër, Sarri po vlerëson me kujdes futbollistët që ka në dispozicion, për të parë nëse mund t’u besojë atyre apo do të kërkojë përforcime në pozicione të caktuara.
Kështu për krahun e djathtë të mbrojtjes për momentin po ofrojnë shumë siguri dyshja Marusic-Lazzari, ndërsa trajneri ka kërkuar nga Tare afrimin e një mesfushori, ku favorit duket kroati Basic, që është pjesë e francezëve të Bordeaux.
Gjithashtu në krahët e sulmit ka nevojë për përforcime, pasi argjentinasi Correa është me pushime, por duket se nuk ka ndërmend të rikthehet më te bardhekaltrit dhe për momentin Sarri po provon të eksperimentojë me 16-vjeçarin Luka Romero, i sapoblerë nga Mallorca.
Nuk mungojnë as dilemat për trajnerin kryeqytetas dhe e para është në portë, pasi Sarri do të preferonte të konfirmonte titullar spanjolli Pepe Reina, me të cilin ka punuar më herët edhe te Napoli, por Strakosha vështirë se do të pranonte të kalonte një tjetër sezon në pankinë.
Edhe në repartin e sulmit ka dilema se cili do të jetë zëvendësuesi i Ciro Immobiles, pasi në skuadër do të mbetet vetëm njëri mes Philippe Caicedos dhe Vedat Muriqit. Megjithatë në këtë rast vendimi nuk i përket Sarrit, por merkatos, pasi Tare do të largojë futbollistin për të cilin do të marrë ofertën më të mirë.























