Mediat turke shkruajnë për kthim të mundshëm të Muriqit në Turqi

Mediat turke shkruajnë për kthim të mundshëm të Muriqit në Turqi

Klubi turk, Fenerbahce thuhet se ka marrë një përgjigje negative nga RB Leipzig për sulmuesin Alexander Sorloth dhe tashmë është përqendruar maksimalisht te ish-ylli i saj, Vedat Muriqi, i cili mund të rikthehet në Stamboll nga Lazio.

Muriqi u transferua në Lazio në fillim të sezonit të kaluar me një tarifë transferimi prej 17.5 milionë euro, por pa arritur të gjej formën e tij më të mirë.

Sulmuesi prizrenas ka udhëtuar ditëve të fundit në Stamboll, por tha se kishte ardhur në Turqi për pushime gjatë pushimit 3-ditor të dhënë nga ekipi italian.

Megjithatë, sipas mediave turke, sulmuesi 27-vjeçar, i cili erdhi në Stamboll me familjen e tij, kishte një takim sekret me menaxherët e Fenerbahce.

Gjithashtu pretendohet se edhe Presidenti Ali Koç ishte ulur në tryezën e bisedimeve me administratorët e Lazios, përcjell Telegraf.

Përveç kësaj, mediat turke kanë zbuluar edhe formulën e transferimit të Muriqit dhe pagën vjetore të yllit të Kosovës.

Muriqi thuhet se do të kalojë të Fenerbahce si huazim me mundësi blerje, teksa do të fitojë 2.5 milionë euro në vit plus bonuse.

Ndryshe, prizrenasi, i cili luajti 36 ndeshje zyrtare në sezonin 2019-20 me klubin turk dha një kontribut të drejtpërdrejtë në 24 gola, duke shënuar 17 herë dhe asistuar 7 herë.