Eroll Salihu jep dorëheqje si sekretar i përgjithshëm i FFK-së
Eroll Salihu nuk do të jetë më sekretar i përgjithshëm i FFK-së. Ai të enjten ka dhënë dorëheqje nga detyra të cilën e ushtroi për plot 15 vjet. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga FFK pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.
Megjithatë, Salihu do të vazhdojë të jetë pjesë e shtëpisë së futbollit kosovar, por tashmë me një rol tjetër. “Me kërkesën e veçantë të Sekretarit të përgjithshëm Eroll Salihu, KE i FFK-së e liroi nga detyra e Sekretarit të përgjithshëm dhe e emëroi si drejtor për çështje sportive - Këshilltar senior Ligjor. Z. Salihu e falënderoi KE dhe presidentin Ademi, duke potencuar se ka shërbyer për 15 vjet si Sekretar i përgjithshëm dhe tash dëshiron t’i kthehet çështjeve profesionale sportive dhe ligjore. Duhet të theksohet se z. Salihu është anëtar i Komitetit Ligjor të UEFA-s dhe kryetar i Këshillit të Arbitrazhit Sportive në KOK-ut ku do të vazhdojë edhe më tutje”, thuhet në njoftimin e FFK-së.























